Ndërtuesit japin alarmin: Apartamentet do të shtrenjtohen me 35%
Çmimet e reja në Tiranë do të shtrenjtojnë me deri në 35 për qind apartamentet në Tiranë. “Me një goditje, kjo VKM ka prekur tri taksa. Taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa 3% e strehimit social, si dhe 15% tatim fitimin të cilat llogariten automatikisht me çmimet e reja të referencës. Ne kërkojmë që kjo VKM të pezullohet dhe të mos zbatohet deri hyrjen e plotë në fuqi të ligjit për taksën e pasurisë”, tha Luigj Aleksi president i Shoqatës së Ndërtuesve.
Shoqata e Ndërtuesve propozon që hyrja në fuqi e vendimit me çmimet e rritura fiskale të jetë graduale ose aplikimi kundrejt zhvilluesve të lidhet vetëm me projekte që nisen dhe përfundojnë pas hyrjes në fuqi te vendimit.
Referuar hartës së re të çmimeve referencë e cila hyri në fuqi më 28 korrik, Unaza e Re është zona me rritjen më të madhe të çmimit të referencës me 76 për qind. Nga 65 mijë lekë për metër katror çmimi rritet në 114 mijë e 300 lekë.
Alliasi, Medreseja dhe Komuna e Parisit janë zonat e tjera me normën më të lartë të shtrenjtimit me 54 deri në 57 për qind. Çmimet e referencës janë rritur në 113 mijë e 850 lekë në Don Bosko, 117 mijë e 800 lekë në Porcelan dhe 159 mijë e 100 lekë në Yzberisht.