”Ndërtuesit kryejnë evazion fiskal”, Bardhi: SPAK-u të hetojë Ramën për shpërdorim detyre
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi thotë se kryeministri Edi Rama sot ka bërë një deklarim të vlefshëm për SPAK-un. Për të kreu i qeverisë ka dijeni që në biznesin e ndërtimit ka evazion fiskal dhe jo vetëm e ka lejuar të ndodhë, por ka bashkëpunuar për rritjen e evazionit. Bardhi shkruan se është koha që SPAK-u ta marrë seriozisht hetimin e kryeministrit për shpërdorim detyre përmes lejimit me mosveprim të evazionit fiskal.
Reagimi i plotë
Edi Rama ka bërë sot një deklarim të vlefshëm për SPAK-un. Kryeministri e di që në biznesin e ndërtimit ka evazion fiskal dhe jo vetëm e ka lejuar të ndodhë, por ka bashkëpunuar për rritjen e evazionit duke u dhënë leje të reja ndërtuesve që fshehin të ardhurat.
Kush fsheh 5 mijë, 6 mijë, 7 mijë, 8 mijë euro m2 shitje? Nuk ka asnjë dyshim që ndërtuesit e tij të preferuar, të cilët, disa i ka shpallur investitorë strategjikë për resorte në bregdet, disa i pajis me leje për kulla.
Në të gjitha rastet është firma e Edi Ramës. Dhe është koha që SPAK ta marrë seriozisht hetimin e kryeministrit për shpërdorim detyre përmes lejimit me mosveprim të evazionit fiskal!