Ndeshja në ”Air Albania” që do të presë 20 mijë tifozë, masat që janë marrë në Rinas
Për ndeshjen finale të Conference League që do të zhvillohet në ”Air Albania” më 25 maj, rreth 20 mijë pasagjerë pritet të vijnë në Shqipëri. Kjo nuk është veç një ngjarje historike për Shqipërinë, por edhe një provë e vërtetë, për kapacitetet pritëse në raste të tilla. Për të mbërritur deri tek minutat e lojës në fushën e blertë, mijëra tifozë të huaj do të kenë Tirana Internacional Airport, ndalesën e tyre të parë. Si do të menaxhohet pritja e rreth 20 mijë pasagjerëve, që do të mbërrijnë në Shqipëri për finalen?
“TIA ka kapacitete të mjaftueshme. Jemi në përgatitje intensive për këtë ditë. Do të jetë një ditë e rëndësishme për sportin në Shqipëri, një nder i madh për qytetin e Tiranës për të mirëpritur finalen e Conference League mes Romës dhe Feyenord-Roterdam. Do të jetë një sfidë për trafikun, atë ajror dhe rrugor, por mendoj se jemi të përgatitur mirë”,-thotë drejtori i aeroportit, Constantive Von Albvensleben.
Numri i lartë i pasagjerëve do të shoqërohet me dhjetëra fluturime shtesë. Rregullat e UEFA-s nuk vlejnë vetëm për fushën e blertë. Për ndeshje të tilla ka rregulla, duke nisur që nga transporti ajror. Ekspertë të UEFA-s kanë mbërritur në aeroport, për të monitoruar zbatimin e tyre për këtë pikë akomoduese.
Në pistë pas uljes së avionëve, është caktuar një vendparkim i dedikuar në mënyrë që lojëtarët ta kenë më të lehtë për t’iu drejtuar terminalit privat. Ndërsa parkimi i avionëve të tifozëve, kërkon një skemë tjetër menaxhimi.