Ndihma ekonomike, rikthehen në skemë 22 mijë familje të varfra
Qeveria rikthen në skemën e ndihmës ekonomike 22 mijë familje të varfra, që i kishte përjashtuar një vit më parë për shkak të sistemit të pikëzimit. Ministri përgjegjës për menaxhimin e Covid-19, Arben Ahmetaj tha se këto familje do të trajtohen me dyfishim të ndihmës, masë e marrë si mbrojtje ndaj krizës së koronavirusit në paketën e parë financiare.
“Sot kryeministri ka vendosur që të avancojë paketën me një shtesë për familjet në nevojë të cilat kanë dalë për arsye të pikëzimit në vitin që ka kaluar nga mbështetja e asistencës sociale dhe janë gati 22 mijë familje”.
Ahmetaj ka dhënë edhe shifrat lidhur me ecurinë e deritanishme të shpërndarjes së ndihmës financiare. Ndërsa në paketën e parë, që u prezantua që më 19 mars, ishte parashikuar ndihmë financiare për 61.400 persona, deri më tani përfitues të të ashtuquajturës pagë e luftës, sipas asaj që tha vetë ministri janë vetëm 52 mijë.