Ndihma juridike falas, Qirici: Rritje e aksesit në drejtësi, sipas kërkesave të BE
Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me PNUD dhe me mbështetjen e qeverisë Austriake po punon për të rritur aksesin në drejtësi për grupet në nevojë në disa bashki të vendit. Synimi, aksesi i barabartë në drejtësi për të gjithë, sipas kërkesave edhe ë Bashkimit Evropianë, në kuadër edhe të negociatave për anëtarësimin në familjen Evropiane.
Ergys Qirici, drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së Ndihmës Juridike në Ministrinë e Drejtësisë në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare tha se, “Shqipëria është në procesin e hapjes së negociatave me BE, ku konferenca e parë u hap më 15 tetor dhe u hap me kapitullin 23 dhe mbyllet po me kapitullin 23 me “Themeloret”, që do të thotë se një nga pikat kryesore është aksesi në drejtësi për të gjithë qytetarët”.
Në këtë kontekst, vijoi ai, qytetarët që kanë nevojë për ndihmë juridike dhe e kanë të pamundur ta përballojnë ekonomikisht, mund ta përfitojnë falas, përmes skuadrave të ndihmës juridike”.
Qirici u shpreh se këto zyra i vijnë në ndihmë dhe hartës së re gjyqësore, duke përmirësuar aksesin në drejtësi.
“Me miratimin e hartës së re gjyqësore, që solli organizimin e gjykatave, lindi nevoja që në ato qytete ku gjykatat e shkallës së parë u mbyllën, u hapën qendrat e ndihmës juridike falas, që ofrojnë këshillim dhe orientim, për të gjitha shtresave në nevojë”.
“Qendrat e ndihmës juridike falas, garantojnë mbrojtje dhe akses të barabartë për të gjithë qytetarët në sistemin e drejtësisë. Qytetarët marrin mbështetje juridike falas për çështje të ndryshme, sipas nevojave që kanë”, theksoi Qirici.
Sipas tij, nga kjo ndihmë përfitojnë qytetarët e shtresave vulnerabël. “Qytetarë pa të ardhura, pjesë e skemës së mbrojtjes sociale, viktimat e dhunës në familje; viktimat e abuzuar seksualisht. Viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. Viktimat të mitur, të miturit në konflikt me ligjin. Fëmijët të cilët jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore. Personat që përfitojnë nga pagesa për aftësinë e kufizuar, personat që përfitojnë nga statusi i të verbrit. Personat, të cilët janë përfitues të skemave të mbrojtjes sociale, etj”.
Ai shpjegoi se, në fokus të punës në bashkëpunim me PNUD është promovimi i ndihmës juridike falas në bashkitë e vogla, për të siguruar akses të sigurt në drejtësi për çdo grup në nevojë.
“Sot qendrat e ndihmës juridike falas janë në Tropojë, Laç, Kavajë, Përmet..et, janë shumë afër me komunitetin dhe kanë një bashkëpunim të shkëlqyer me qytetarët”, u shpreh Qirici, teksa solli në vëmendje shembullin e funksionimit të kësaj qendre në skajin më verior të vendit në Pukë.
“Në Pukë është ngritur qendra e re e ndihmës juridike falas, që është hapur në korrik 2023. Deri më tani qendra ka trajtuar 29 çështje, që kryesisht janë civile dhe administrative dhe më pak penale”, tha Qirici.
Qirici u ndal edhe në funksionimin e zyrës së ndihmës ligjore falas në Lezhë.
Kjo zyrë është ngritur në kuadër të projektit për rritjen e aksesit në drejtësi për grupet në nevojë në Shqipëri, financuar nga qeveria Austriake dhe zbatuar nga PNUD në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.
Ai tha se, PNUD ka ngritur 14 zyra të ndihmës juridike falas dhe aktualisht mbështet financiarisht 6 të tilla ndërsa të tjerat mbështet nga buxheti i shtetit nëpërmjet MD-së.
/a.f/ ATSH