Ndihma në Shijak, Klosi: Do ndërhyhet për evitimin e ngjarjeve të tilla

1 mijë pako me ushqime dhe veshmbathje janë shpërndarë në zonat e prekura nga përmbytjet në Shijak dhe Sukth. Teksa ka inspektuar procesin, Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi tha se duhet evidentuar shkaku që shteti të ndërhyjë për evitimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Pas përmbytjes nga lumi Erzen të Shijakut dhe Sukthit, ekspertët po evidentojnë ndërhyrjen që duhet të bëjë shteti shqiptar për evitimin e ngjarjes të tilla në të ardhmen. Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi, teksa inspektoi ndarjen e rreth 1 mijë pakove me ushqime dhe veshmbathje akorduar nga fondi kuvajtjan dhe qeveria shqiptare, për familjet e dëmtuara, tha se shumë prej banesave janë ndërtuar shumë pranë shtratit të lumit.

Blendi Klosi: “Kemi një zonë e cila është në shtratin e lumit të vjetër dhe të gjithë këto ndërtime që janë bërë mbi shtratin e lumit e kanë bërë të pamundur menaxhimin në situata të tilla. Pra ajo që kërkoghet sot pranë Bashkisë së Shijakut dhe nga instutucionet e prefekturës së qarkut Durrës është evidentimi i ndërhyrjeve që duhen bëj në mënyrë emergjente të shtetit shqiptar për të rehabilituar atë që mund të rehabilitojmë për të mos ndodhur fatkeqësi si ajo që ndodhi atë natë.”

Sipas një bilanci paraprak të shtabit të emergjencave, nga përmbytjet përllogariten mbi 750 banesa dhe 230 biznese të prekura dhe rreth 3 mijë ha tokë bujqësore.

Ardian Kokomani: “ Ne po vazhdojmë të pastrojmë shtëpitë e banimit. Po riparojmë rrugët që të jetë e mundur që këto familjarë të rikthehen në shtëpi e tyre për t’i kthyer ata në jetën normale.Krahas tyre po vazhdojmë ndarjen e ndihmave.”

Pas fazës së parë, të evidentimit të dëmeve, brenda 15 ditësh Bashkia e Shijakut pritet të bëjë llogaritjen përfundimtare të faturës financiare, që pas miratimit nga prefektura, do t’i çohet qeverisë. Kjo e fundit do akordojë shumën e nevojshme nga fondi i emergjencave civile.

SHKARKO APP