Ndihmës Sekretarja e Shtetit Marie Royce merr titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës
Të premten, datë 16.10.2020, në orën 09:00, në Godinën “Liria”në Qytetin Studenti,do të organizohet Ceremonia e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për Znj. MARIE THÉRÈSE PORTER ROYCE me motivacionin: “ Për kontribut të shquar në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në fushën e arsimit dhe kulturës, në përfshirjen e gjerë të personelit akademik dhe studentëve të Universitetit të Tiranës në programet e Departamentit të Shtetit me ndikim të lartë në formimin akademik dhe profesional, në fuqizimin e rolit të grave në shoqëri si dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri”
Në këtë ceremoni do të nderojnë me pjesëmarrjen e tyre Yuri Kim, Ambasadore e SHBA-së në Shqipëri, Floreta Luli Faber, Ambasadore e Shqipërisë në SHBA dhe senatorët e UT-së.
Marie Royce mban pozicionin Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Arsimore dhe Kulturore. Në këtë cilësi, ajo mbikëqyr një gamë të gjerë programesh që synojnë të avancojnë objektivat e politikës së jashtme të SHBA-së, përmes shkëmbimeve arsimore, profesionale, kulturore dhe sportive. Karriera e znj. Royce është e gjatë dhe përmban role e detyra të rëndësishme si profesore, CEO, drejtore e MarieRoyce sh.p.k, sipërmarrëse, ndërlidhëse kryesore e biznesit në 80 vende, po ashtu ka shërbyer në 20 borde jofitimprurëse, etj. Ndër të tjera znj. Royce i janë akorduar disa tituj të rëndësishëm.
Biografia e Marie Royce, Ndihmës Sekretare e Shtetit
Marie Royce u konfirmua unanimisht nga Senati i Shteteve të Bashkuara dhe u betua si Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet Arsimore dhe Kulturore më 30 Mars 2018. Në këtë cilësi, ajo mbikëqyr një gamë të gjerë programesh që synojnë të avancojnë objektivat e politikës së jashtme të SHBA-së, përmes shkëmbimeve arsimore, profesionale, kulturore dhe sportive, që promovojnë mirëkuptimin e ndërsjelltë midis njerëzve të Shteteve të Bashkuara dhe njerëzve të kombeve të tjera dhe që krijojnë rrjete e partneritete si dhe që adresojnë sfidat globale si dhe mundësitë.
Znj. Royce, një biznesmene dhe ish-profesore, ka qenë CEO dhe Drejtore e MarieRoyce, sh.p.k në Fullerton, Californi që nga viti 2016. Ajo ka mbi 30 vjet përvojë në sektorin privat me kompanitë Fortune 500 si dhe ka përvojë si pronare e një biznesi të vogël, duke krijuar dhe nisur start up-e dhe iniciativa të reja si dhe duke shërbyer si ndërlidhëse kryesore e biznesit në 80 vende.
Si ish profesore universiteti me kohë të plotë, znj. Royce drejtoi një program ndërkombëtar për grante ndërmjet dy universiteteve. Ajo ka angazhuar shumë agjenci qeveritare federale dhe ka shërbyer në 20 borde jofitimprurëse. Ajo gjithashtu ka qenë e emëruar e sektorit privat në Komitetin Këshillëdhënës për Politikat e Komunikimit Ndërkombëtar dhe Informacionit (ACICIP) në Departamentin e Shtetit, përveç shërbimit në dy borde të shkëmbimit kulturor amerikan. AWIU e nderoi atë me çmimin e tyre të ndërkombëtarizimit.
Znj.Royce u diplomua në Bachelor të Shkencave në Administrim Biznesi në Universitetin Shtetëror të Politeknikut të Kalifornisë, Pomona dhe në MBA në Universitetin Georgetown në Biznes Ndërkombëtar, me nderimin, Beta Gamma Sigma. Ajo po ashtu ka marrë Çmimin e Alumnit të Shquar nga Universiteti Shtetëror Politeknik i Kalifornisë, Pomona.