Ndihmësi ligjor, Aurel Celibashi konfirmohet në detyrë nga KPK
Ndihmësi ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Aurel Celibashi është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Vendimi u shpall këtë të enjte nga trupa gjykuese e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Firdes Shulin.
Celibashi u përball pa probleme me procesin e rivlerësimit kalimtar të martën më 26 mars, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit që zgjati rreth 20 minuta. Ai mori vlerësim pozitiv në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe për profesionalizmin.
Sipas Sanxhaktarit, subjekti është ndarë nga trungu familjar në vitin 2015 dhe ka deklaruar se prej vitit 2019 jeton me bashkëjetuesen dhe vajzën e tyre. KPK i ka gjetur të sakta këto deklarime. Po ashtu, u janë gjetur pa probleme deklarimet për blerjen e një apartamenti me prindërit në vitin 2004, për një automjet të blerë prej tij në vitin 2003 dhe një tjetër në 2018-ën.
Relatorja konstatoi se edhe analiza financiare e përgjithshme paraprake ka rezultuar me bilanc pozitiv. Ndihmësi ligjor Aurel Celibashi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe nuk u evidentuan probleme për profesionalizmin.