Ndodh edhe kjo, kryebashkiakja i rrit rrogën vetes me 100 mijë lekë

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako ka rritur pagën e saj me 56,7 %, duke e çuar atë nga 1 milion e 850 mijë lekë në 2 milion e 900 mijë lekë të vjetra në muaj. Rritje me 40,6 % u bë edhe për tre zv.kryetarët e saj, Renis Mullaj, Elio Jani dhe Gentian Kallmi, të cilët që nga data 1 shtator, sipas vendimit, do të paguhen 2 milion e 250 mijë lekë të vjetra, nga 1 milion e 600 mijë lekë që merrnin më parë. Me 55,6 % është rritur paga për sekretarin e përgjithshëm të bashkisë.

Në përqindje të njëjtë me pagën e kryetares së bashkisë është rritur edhe pagesa mujore për këshilltarët bashkiakë, nga 185 mijë lekë të vjetra në 290 mijë lekë. Për drejtorët e drejtorive, rritja është në masën 55 %. Rritjen më të madhe e ka përfituar drejtuesja e kabinetit me 86,7 %, si dhe këshilltari i kryetares së bashkisë dhe zëdhënësi i institucionit me 90.8 % rritje, duke u ngritur në nivelin e drejtorit të drejtorisë. Rritjet në nivelet e tjera variojnë, por jo në të njëjtin nivel. Për specialistët në aparatin e bashkisë, rritja është 14.3%.

Rritja e pagave në nivele të ndryshme të administratës bashkiake në Durrës ka thelluar kontrastin mes të zgjedhurve, funksionarëve të lartë dhe punonjësve të shërbimeve bazë, duke nxitur debat mbi përparësitë e vendimmarrjes, veçanërisht në kohë krizash si ajo e mbetjeve toksike në port, ndërsa këshilltarët e opozitës nuk kanë pritshmëri nga institucioni i prefektit të qarkut.

SHKARKO APP