Ndodh në Shqipëri, Policia gjobit efektivët dhe shkak është Covid-19
Situata e Covid-19, ka bërë që Policia e Shtetit të mos kursejë as të vetët. Zv/drejtoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, kërkon që të shtohen kontrollet për qytetarët dhe bizneset që nuk zbatojnë rregullat dhe të vendosen masa ndëshkuese për policët që nuk kanë zbatuar aktin normativ mbi Covid-in. Në një shkresë, Hajnaj thotë se ka pasur pak kontrolle dhe janë vendosur numër i ulët i gjobave ndaj bizneseve dhe nuk janë arkëtuar lekët për masat e vendosura më herët.
“Numri i masave administrative pas procesit të lehtësimit të masave në kuadër të hapjes së vendit dhe biznesit ditët e fundit ka ardhur në ulje, kryesisht janë vendosur masa administrative vetëm në zonat e kuqe. Numri i masave administrative të vjela si në numër dhe në vlerë janë të papërfillshme në raport me sasinë e masave të vendosura, gjë që tregon se nuk marrë vlerësim të plotë nga drejtuesit e strukturave të policive vendore. Për këto arsye ju tërheq vëmendjen. U tërhiqet vëmendja drejtorëve të drejtorive vendore të policisë dhe të fillojë ecuria disiplinore për zv/drejtorët e sigurisë dhe policimit në komunitet, shefat e komisariateve, shefave të sektorëve të rendit dhe shefat e seksionit të rendit publik në komisariatet e policisë, si personat që kanë përgjegjësi për këtë situatë”.