Ndoka: Nuk është koha për protesta, por për aksion opozitar e politik
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka gjatë një interviste për “Report Tv” ka folur për sjelljen e opozitës duke e cilësuar Lulzim Bashën si liderin më të butë në këto 30 vite. Deklaratat se Rama është një mirënjohës për opozitën e dobët që ka para, Ndoka tha se kjo nuk është kështu, por se Basha është një lider që sillet në mënyrë të moderuar dhe europiane. Si rezultat i kësaj sjellje europiane, sipas Ndokës, Basha ka fituar besimin dhe simpatinë e qytetarëve.
“Basha është sjellë në mënyrë institucionale dhe sillet në mënyrë të moderuar si një lider europian. Rezultatet? Ka sjellë besimin dhe simpatinë e qytetarëve duke marrë mjaft mesazhe mbështetëse. Patën një lider opozite që nuk u mundua kurrë të përfitonte nga kjo situatë dhe të ishte i përgjegjshme dhe liderin më të butë të 30 viteve të fundit. Ky është një ndryshim edhe në formimin e dy liderëve kryesorë të politikës shqiptare”, tha Ndoka.
Në lidhje me organizmin e protestave në kohë pandemie, Ndoka tha se kërkesat e qytetarëve janë të shumta, por tani nuk është koha për të mbajtur të tilla, por për të qenë zëri i qytetarëve në aksionin e saj opozitar e politik.
“Opozita ka shumë çështje për të ngritur shqetësimet por nuk është momenti për të akumuluar shqetësimet e qytetarëve por të bëhemi zëri i tyre. Padyshim ka dëshirë për protesta dhe pakënaqësi nga qeveria, të gjithë e kanë kuptuar se kanë përballë një qeveri që tenton të vjedhë dhe jo të jetë në krahun e tyre. Ndaj sot bëhet mjaft e rëndësishme që opozita do të jetë në aksion opozitar e politik, por jo thirrje të protestave në mënyrë qorrazi”, tha Ndoka.
Sa për konkluzionet e mbledhjes së sotme të Bashës me aleatët, kreu i PDK-së Nard Ndoka tha se u ndanë shqetësimet kryesore të opozitës që lidhen me bizneset dhe qytetarët në vend që nuk po ndihmohen nga qeveria pasi kryeministri po sillet si polic duke krijuar një klimë terrori.
“Kemi pasur kundërshtitë tona për masat që ka marrë qeveria si mbyllja drastike e bërë në mënyrë të pastudiuar dhe të panevojshme duke krijuar një klimë terrori, patëm një kryeministër që veproi si polic se sa menaxher. ISHP është organi ligjor për të monitoruar dhe drejtuar të gjithë këtë proces, por për fat të keq këtë nuk e pamë asnjëherë”, tha kreu i demokristianëve, Nard Ndoka.