Ndoshta vetë Arta mund të ndihmonte në shuarjen e këtij zjarri
Nga Ylli Manjani-
Nejse, pavarësisht terminologjisë së rënduar në përdorim, si psh “grusht shteti”, situata që lidhet me formimin e Gjykatës së re Kushtetuese është e rëndë dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e miratuar me 140 vota.
Nuk ka asnjë lidhje, po fare fare lidhje me Kushtetutën as ligji për legalizimin e emërimit të Arta Vorbsit, as procedura dokumentare e ndjekur nga KED.
Këto fakte janë të dukshme.
Çështja është se praktika e zbatimit të Kushtetutës kërkon arsye jo përplasje. Zbatimi i Kushtetutës është detyrë, por nuk ka një zyrë përmbarimi që e bën atë të zbatueshme me forcë. Gjykata Kushtetuese, në fakt, është institucioni suprem që garanton zbatimin korrekt të Kushtetutës.
Por, pikërisht për këtë gjykatë ka lindur përplasja.
Mjedisi politik në vend pa dyshim ka rëndësi jetike për të siguruar arsyen aq të nevojshme për sundimin e Kushtetutës. Nëse ky mjedis nuk ofron bashkëpunim, por përplasje pa dyshim që nuk mund të ketë sundim të Kushtetutës.
Sundimi Kushtetues është thelbi i parimit të Sundimit të Ligjit. Ndërtimi i Gjykatës së re Kushtetuese e kishte dhe e ka të nevojshëm ekzistencën e një mjedisi bashkëpunues politik.
Çdo rrugë tjetër, përfshi edhe legalizimin e emërimeve harbutshe e dëmton besimin e Gjykatës dhe të vetë Kushtetutës. Insistimi për të legalizuar Arta Vorbsin, e cila, mbi të gjitha na zhgënjeu të gjithëve me atë betim që bëri para Noterit, nuk ndihmon. Përkundrazi shton benzinë në një zjarr të panevojshëm, gjithsesi…
Dikush duhet të tolerojë. Kush toleron fiton! Ndoshta vetë Arta mund të ndihmonte në shuarjen e këtij zjarri duke u tërhequr nga kjo idiotësi kushtetuese. Arta ka një shans të jetë realisht mbi kokat e nxehta të pushtetit…