Ndreu: Shëngjini, plazhi më i pastër në Shqipëri
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, thotë se është optimist për sezonin turistik, duke parë fluksin e njerëzve gjatë fundjavës së kaluar. ”Me fundjavën që kaloi jemi optimistë, pasi Shëngjini dhe Rana e Hedhun kanë qenë plot. Shumica kanë qenë turistë nga Kosova por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë. Kjo na ka bërë optimistë që edhe në vazhdim do të ketë fluks turistësh”,-tha në ”A2cnn”.
Sipas kryebashkiakut të Lezhës, po punohet fort për pastërtinë e plazheve. ”Po mundohemi të mbyllim historinë e papastërtisë. Shëngjini këtë fundjavë ka qenë shumë i pastër dhe do të monitorojmë javë pas jave që Shëngjini të jetë plazhi më i pastër në vend. Ka akoma vend për pëmirësime dhe kemi piketuar disa problematika ende të pazgjidhura. Jemi të gjithë në këmbë për të përmirësuar çdo pëllëmbë që mendojmë se nuk është në kushtet e duhura”.
Ndreu theksoi gjithashtu se bizneset kanë nisur punë. ”Bizneset kanë nisur punë, gjërat po ecin. Normal që nuk jemi në nivelit e një viti më parë, por gjithësesi turizmin e kemi pikë reference dhe po monitorojmë dhe po shpresojmë që këtë sezon të marrë zhvillimin e duhur. Ne si bashki duhet të japim shërbimet e duhura që biznesi të jetë partneri ynë për të siguruar klimën e të bërit biznes dhe të infrastrukturës. Marrëdhënia e biznesit me bashkinë është e jashtëzakonshme”.