Ndroqi me rrugë të reja, Veliaj: Në këtë mandat fokusin do e kemi te fshati; Investime në çdo lagje

Një investim i ri shtohet në Njësinë Administrative Ndroq. Bashkia e Tiranës ka përfunduar një tjetër investim të rëndësishëm, që u vjen në ndihmë banorëve të Lagjes së Re në Ndroq, duke asfaltuar disa rrugë të saj dhe duke sjellë në këtë zonë standardet më të mira në infrastrukturën rrugore.

Por ata që përfitojnë edhe më shumë janë fëmijët e kësaj lagjeje, të cilët studiojnë në shkollën “Ymer Kurti”. Teksa inspektoi përfundimin e punimeve, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se ky mandat i dytë do të ketë një vëmendje të veçantë tek fshati dhe tek përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale. “Ky do jetë një mandat ku do e kemi fokusin kryesisht te fshati. Nuk mund të kemi një Tiranë e cila ecën me 2 shpejtësi: me të pestin te Sheshi “Skënderbej” dhe rri në vend kur vjen puna te Ndroqi, te Vaqarri, te Shën Gjergji, apo në Petrelë. Jam shumë i lumtur sot që një nga lagjet e reja të Ndroqit ka një rrugë me cilësi”, tha Veliaj.

Rruga e re jo vetëm do të përmirësojë infrastrukturën, por do të rrisë edhe vlerën e pronës. “Rruga është mundësi, është ekonomi, rruga është dije. Fëmijët që vijnë te kjo shkollë, nuk ka nevojë të kalojnë përroin sepse rruga e vjetër ishte një përrua i tërë. Tani që kemi rrugën, marrin vlerë këto shtëpi, vajtja në shkollë nuk është një betejë spartane, por është një shëtitje në trotuar, me ndriçim dhe me ambient të sigurt”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë siguroi se në këto ditë të gushtit vëmendja do të jetë tek shkollat, kopshtet, çerdhet dhe infrastruktura e tyre ndihmëse, që shtatori t’i gjejë gati për të mikpritur fëmijët. “Tani që po afron shtatori, fokusi do të jetë te shkollat, kopshtet, çerdhet, rrugët dhe infrastruktura përreth tyre. Besoj se koha kur fëmijët duhet të merrnin fugonin dhe të shkonin në qendër të Tiranës, ose nga lagjet periferike apo nga fshati, kursehen kur infrastruktura është e njëjtë, si në qendër të Tiranës, ashtu edhe në Ndroq”, tha ai.

Veliaj u shpreh se është vetëm çështje kohe që investime të tilla të prekin të gjitha zonat në kryeqytet. “Fakti që nuk presim 4 vjet, por as 4 javë që t’i hyjmë punës në fshat, besoj jep shpresë për këdo që e sheh këtë investim dhe thotë, kur do më vijë radha mua. Për sa kohë që çdo ditë ka punë konkrete, është vetëm çështje kohe që të kapim të gjitha segmentet dhe sigurisht do fillojmë me një sens prioriteti. Aty ku ka më shumë banorë do të vijë rruga e parë dhe deri sa të shkojmë deri te lagjja më fundore e secilës prej njësive tona administrative në zonën rurale”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

Ai ftoi qytetarët e Tiranës se tani që edhe infrastruktura është përmirësuar të konsumojnë produkte të zonës, duke ndihmuar në këtë mënyrë edhe ekonominë lokale. “Ftesa ime, tani që është rregulluar një pjesë e madhe e lagjeve të Ndroqit, është

rregulluar aksi Tiranë-Durrës me kalim nga Ndroqi, ta shfrytëzojnë sa më shumë qytetarë, jo vetëm si një kalim alternativ për të evituar trafikun e autostradën, por dhe një rrugë më piktoreske, ku mund të blesh prodhime organike për të ndihmuar ekonominë lokale”, deklaroi Veliaj.

Investimi i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e rrugëve në Ndroq, ka përfshirë jo vetëm asfaltimin, por edhe sistemimin e ujërave të zeza dhe të bardha, trotuare, ndriçim dhe vendosjen e plotë të sinjalistikës vertikale dhe horizontale.

SHKARKO APP