Ndryshime në Kod/Kolaudimi i makinave 1 herë në 2 vjet, shkelësit e përsëritur do rikthehen në autoshkollë
Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtoje një projektligj që parashikon ndryshime në Kodin Rrugor. Ndryshimet e propozuara nga qeveria parashikojnë që kontrollit teknik (kolaudimi) i makinave mos të bëhet çdo vit, por një herë në dy vite, ndërsa makina e reja nuk do të kenë nevojë për tre vitet e para.
Gazetari Adriatik Doçi ka shtuar se përjashtim nga ndryshimi në ligj do të bëjnë taksitë, autoambulancat, furgonët, autobusët dhe të gjitha llojet e mjeteve të transportit. Të gjithë drejtuesit e mjeteve që do të tejkalojnë me 30 ditë afatin e siguracionit, do të dalin në sistem si ”debitorë” duke u gjurmuar më thjeshtë nga Policia.
Për ta gjoba do të variojë nga 100 deri në 400 dollarë. Për të gjithë ata që bëjnë gabime në timon dhe shkelin rregullat e qarkullimit do të humbasin pikë, duke rrezikuar rikthimin në autoshkollë, ndërsa më parë ndëshkimi i vetëm ishte ridhënia e provimit.
GJOBAT E PARASHIKUARA NË BAZË TË SHKELJEVE
Çdo shofer që tejkalon kufijtë minimalë dhe maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, do gjobitet nga një mijë deri në tre mijë lekë të reja. Ata që tejkalojnë kufijtë e shpjetësisë me më shumë se 50 km/orë jashtë qendrave të banuara dhe më shumë se 40 km/orë në qendrat e banuara, do ndëshkohet me gjobë nga 100 deri në 200 dollarë, dhe do të jenë pa patentë për 3-6 muaj. Përfshirë edhe heqjen e pikëve.
Nëse shkeljet do të përsëriten brenda dy viteve, do t’u pezullohet patenta nga 8 deri në 12 muaj. Edhe parkimi i gabuar do të kushtojë pikë, përveç gjobës. Nëse qarkulloni pa rripin e sigurimit, gjoba varion nga 1-3 mijë lekë të reja, duke përfshirë edhe pasagjerët.
Gjoba për shoferët që përdorin telefon nga pesëqind deri në një mijë e pesëqind lekë do të dhjetëfishohet, e në rast përsëritjeje 3 herë brenda vitit do të kushtojë po ashtu pikë të humbura në patentë. Duke rrezikuar edhe heqjen e kësaj të fundit për 3 muaj.
Gjobë deri në 400 USD, heqje e patentës deri në dy vjet, heqje të të gjitha pikëve dhe procedim penal, do të ketë për shoferët që kapen në gjendje të dehur, ndërsa ndëshkime më të rënda parashikohen për të gjithë ata që largohen nga vendi i ngjarjes. Ndëshkimeve nuk u shpëtojnë as dyrrotakët. Drejtuesit e motoçikletave duhet të mbajnë një jelek fosforeshent, ndryshe do ndëshkohet me gjobë, nga një mijë deri tre mijë lekë.