Ndryshime në ligjin për privatizimet/ Kontratat për pronën dhe objektet shtetërore duhet të lidhen brenda 30 ditësh
Në Fletoren Zyrtare janë publikuar ndryshimet e reja në ligjin për privatizimin e pronës shtetërore, duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi të tyre.
“Në rastet kur për objektet që privatizohet ka një pronar apo disa bashkëpronarë, të cilët gëzojnë të drejtën e parablerjes dhe kanë shprehur interes për blerjen e objektit, duke bërë pagesën e vlerës së plotë të tij, ata do të jenë të detyruar që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit me shkrim nga struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë, të nënshkruajnë kontratën e shitjes për objektin me drejtorin e ndërmarrjes (apo përfaqësues të autorizuar të tyre dhe të organit që e ka në pronësi, ruajtje apo varësi administrative objektin) dhe drejtorin e strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë” përcaktohet në amendamentin që i është bërë ligjit.
Njoftimi për të lidhur kontratën e shitjes me strukturën përgjegjëse për shitjen e pronës publike, në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë, i bëhet secilit bashkëpronar që gëzon të drejtën e parablerjes, në bazë të një vendimi për njohje, kthim dhe kompensim prone, si dhe për faktin që secili prej tyre jo vetëm ka aplikuar për privatizimin e objektit, pronë shtetërore, që ndodhet mbi truallin e tyre por njëkohësisht ka përmbushur personalisht të gjitha detyrimet financiare, sipas legjislacionit në fuqi.
Në rast se një ose disa bashkëpronarë nuk paraqiten para zyrës noteriale për lidhjen e kontratës për pjesën takuese të dakordësuar, për të cilën kanë përmbushur rregullisht të gjitha detyrimet financiare, si dhe kanë marrë dijeni efektivisht, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë u jep atyre një mundësi të dytë për t’u paraqitur, duke shtyrë në këtë mënyrë lidhjen e kontratës së shitjes për një datë tjetër.
Në rast se edhe pas njoftimit të dytë një ose disa bashkëpronarë, të cilët kanë përmbushur rregullisht të gjitha detyrimet financiare, nuk paraqiten pa ndonjë shkak të ligjshëm që të justifikojë mungesën e tyre, përveç rasteve të forces madhore, struktura për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë u ofron bashkëpronarëve të tjerë, të cilët janë paraqitur, që të parapaguajnë për pjesën takuese të bashkëpronarëve në mungesë dhe lidh kontratën përfundimtare të shitjes vetëm me këta bashkëpronarë.
Shuma financiare, që bashkëpronari/ët në mungesë ka/kanë parapaguar dhe nuk është/janë paraqitur për sa më sipër, depozitohet në një llogari të posaçme në një nga bankat e nivelit të dytë, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga lidhja e kontratës së shitjes, duke u njoftuar për këtë fakt nga struktura për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë. Në rast se bashkëpronarët e paraqitur refuzojnë të paguajnë për blerjen e pjesës takuese të bashkëpronarëve në mungesë, kuota që këta bashkëpronarë refuzojnë të blejnë do të vazhdojë të ekzistojë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës me bashkëpronar shtetin.
Në rast se të gjithë bashkëpronarët heqin dorë nga lidhja e kontratës së shitjes, pasi janë kryer të gjithë hapat e mësipërm proceduralë edhe pas njoftimit të dytë dhe nuk kanë paraqitur për këtë fakt asnjë shkak të ligjshëm që të justifikojë mungesën e tyre, struktura për shitjen e pronës publike në ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë anulon procedurat e shitjes së objektit si dhe urdhëron kthimin e të gjitha pagesave financiare që ata kanë kryer.
Objekti i paprivatizuar do të vazhdojë të ngelet pronë shtetërore, duke pasur të drejtë shteti shqiptar ta administrojë me çdo formë të lejuar nga legjislacioni në fuqi, enfiteozë/lidhje kontratë qiraje me të tretët etj., investim për interes publik etj.).
Procedurat e privatizimit të objekteve apo të ndërmarrjeve, të realizuara nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe ish-Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike, në ish-Ministrinë e Financave, me të drejtën e parablerjes për ish-pronarët e truallit, për të cilat janë kryer pagesat e plota për blerje, por që nuk janë përfunduar këto procedura (nënshkrimin e kontratave të shitjes dhe dorëzimi i pronës), do të përfundohen sipas procedurave të këtij vendimi.”.
SCAN