Ndryshimet e shpeshta në buxhet, Malaj: Mungesë vizioni

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, i sheh me shqetësim lëvizjet e fundit të qeverisë për rritjen e borxhit publik dhe ndryshimet e tjera në buxhet. Sipas tij, nuk duhet marrë borxh për të financuar projekte ambicioze, kur ekzistojnë në dispozicion mekanizma të tjerë, si fondet e Bashkimit Europian.

“Është shumë shqetësues mentaliteti i qeverisë, e cila është duke bërë shpenzime të mëdha në projekte të PPP-ve, të cilat janë kosto shtesë dhe kjo konstatohet edhe në faktin që Shqipëria kërkon të marrë një borxh të ri në Eurobond. Tashmë dija është e lirë për të gjithë, edhe një student i vitit të parë mund të kontrollojë dhe të shikojë që modernizimi i infrastrukturës në vendet e varfra të Bashkimit Europian, duke filluar që në vitin 1981 me Spanjë, Portugali dhe Greqi, por edhe më vonë me Bullgarinë dhe Rumaninë, ka ardhur nëpërmjet fondeve të BE”.

Malaj është gjithashtu kundër rritjes së borxhit të jashtëm, që krijon krahas rreziqeve të shtuara edhe një klimë pasigurie. Po ashtu ish-ministri deklaron se ndryshimet e shpeshta në buxhet evidentojnë faktin se qeveria nuk ecën në bazë të një planifikimi, por në bazë të agjendave të ditës.

SHKARKO APP