Ndryshimet në qeveri, Basha: Si shpëtoni dot drejtësisë me tubime partiake, të hetohet afera e inceneratorëve dhe sterilizimi
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për ndryshimet në qeverinë ”Rama 3”, që u bënë me dije gjatë Asamblesë së PS-së. Basha thotë se qeveria është damkosur tashmë nga SPAK për çështjen e inceneratorëve dhe se nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë me “tubime partiake.”
”Qeveria e damkosur nga SPAK për aferën e inceneratorëve nuk i shpëton dot drejtësisë me tubime partiake ku bashkë i bën vetëm frika e ndëshkimit prej zullumeve që kanë bërë në kurriz të shqiptarëve.
Drejtësia duhet të vijojë punën e saj për hetimin e aferës së inceneratorëve, sterilizimit dhe çdo denoncimi për korrupsionin shtetëror në çdo hallkë.
E pandikuar nga presioni qeveritar apo politik i kujtdo qoftë. Kjo është mënyra e vetme për të vënë para drejtësisë abuzuesit me pasuritë e shqiptarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre që e kanë lënë Shqipërinë peng të Edi Ramës”,-shkruan Basha.