Ndryshimet në qeveri, Hila: Rama është i lodhur, bën lojë prestigjatori
Për analistin dhe drejtuesin e emisionit “Arena” në Ora News, Dritan Hila ndryshimet në qeveri janë thjesht një lojë prestiagjatori që bën kryeministri Rama.
I ftuar në studion e lajmeve, Hila kishte shumë kritika për ministrat e rinj, për të cilët tha se “shumë shpejt do t’i dëgjohet krisma”.
Hila: Nuk e shikoj si një ndryshim filozofie, e shikoj si një lojë prej prestigjatori të kryeministrit Rama, i cili ndoshta ka menduar që sa më të panjohur të jenë emrat aq më i çuditur do jetë publiku dhe aq më gjatë do merren me ta. Por vë re që edhe publikut as i ka bërë përshtypje.
Sipas Hilës, në Asamblenë e PS, Rama u shfaq i lodhur dhe nuk ka më çfarë jep.
Hila: Rama po e kupton që ora e brendshme e tij është drejt fundit. Rama nuk çudit më njeri dhe në ndonjë nga ato meditimet e tij të natës ka menduar që heqje e këtyre ministrave mund të jetë ndonjë magji që do krijojë besim tek njerëzit. Edhe në fjalën që mbajti në Asamble, Rama ishte i lodhur, nuk thoshte asgjë. Madje nuk e di pse mu duk një maskë që fliste dhe jo zoti Rama. Dukej që nuk i mbushte mendjen as vetes. Rama nuk ka më çfarë jep.
Hila tha se Rama kishte vetëm një mundësi për të shpëtuar, të merrte figura të nderuara nga radhët e socialistëve, siç është Shkëlqim Cani apo edhe Ethem Ruka.
KOHA JONË SONDAZH

