Ndryshimi i hartës elektorale, Biberaj: Problem është ndarja administrative që shkon në favor të votave të së majtës

Anëtari Kryesisë së Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj, përmes një interviste të dhënë në studion e lajmeve të televizionit FaxNews, ka folur rreth situatës së aktualtetit politik, duke u fokusuar kryesisht tek mosçelja e negociatave dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Për sa i përket ndryshimit të hartës elektorale, ku Dibrës dhe Gjirokastrës iu hoqën nga 1 mandat të cilët u shtuan në Tiranë, Biberaj thekson se ky është një proces që lidhet me lëvizjet demografike të popullsisë dhe nuk ka konotacion politik.

Problemi sipas tij qëndron tek ndarje administrative e bërë në mënyrë të njëanshme nga ana e PS-së, ku ndarja në 61 bashki i shërben votave të së majtës. Mospjesëmarrja në procesin e ndarjes administrative në vitin 2014, nga ana e PD-së, ishte një gabim, të cilin duhet ta rikuperojë kur të vi në pushtet me riformulimin e ndarjes administrative, theksoi ish-deputeti.

“Mendoj që nuk ka ndonjë konotacion politik, sepse edhe nëse do ta politizionim problemin 1 mandat do ikte nga Gjirokastra që është e majtë dhe 1 nga Dibra që është e djathtë, pra përsëri do ishim barazim. Faktikisht ka lëvizje demografike të popullsisë. Këtu problem nuk është në lëvizjen e mandateve se sa në ndarjen administrative.

Ne kemi bërë një gabim shumë të madh atëherë që nuk kemi marrë pjesë në ndarjen e re administrative, ku u kalua nga 400 komuna dhe bashki në 61 bashki. Ne kemi qenë të përjashtuar nga ajo vendimarrje. Faktikisht pot ë shikosh hartën administrative është bërë në funksion të votave të së majtës të ‘Rilindjes’. Kjo për momentin është e pakorrigjueshme dhe e pandreqshme dhe mendos se duhet të jetë një nga detyrat e ardhshme të qeverisë së Partisë Demokratike dhe koalicionit opozitar”, tha Biberaj.

SHKARKO APP