Ndryshimi i qendrave të votimit për 1.2 mln zgjedhës, Celibashi: Godinat mbeten të njëjtat
Një nga shqetësimet që opozita ka ngritur është ndryshimi i qendrave të votimit për 1.2 milionë zgjedhës. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi sqaron se rezulton që ndryshimet janë në fraksione, por kryesisht bëhet fjalë për votim në të njëjtën qendër.
“Bazuar mbi këtë diskutim, ajo që ka rezultuar në këto ndryshime, lidhen me faktin që brenda të njëjtës qendër votimi (godinë) ndryshimet janë që një votues deri dje ka votuar në fraksionin 1 do të kalojë te 2. Pra, nëse kanë votuar në katin e parë, do të kalojnë në katin e dytë”,-tha Celibashi.
Qëllimi sipas tij në këtë rast është që votuesit e një godine, një pallat për shembull, të votojnë te i njëjti fraksion i një qendre votimi. “Ka pasur raste që rezulton që ai i katit të dytë të pallatit, votonte te klasa në katin e parë të shkollës, komshiu i vet ngjitej lart”, shton kryekomisioneri.