Ndryshon Kushtetuta, miratohet ligji për dekriminalizmin

 

Parlamenti miratoi sot ndryshimet në Kushtetutë për dekriminalizimin. Paketa ligjore kaloi me 131 vota të deputetëve të pranishëm në sallë. Kreu i Shtetit me anë të një dekreti të posaçëm ka dhënë miratimin për hyrjen menjëherë në fuqi të ndryshimeve në Kushtetutë.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta lexoi ligjin e ri në seancë duke konfirmuar në këtë mënyrë dhe nisjen e menjëhershme të zbatimit të tij.

Katër amendamentet e miratuara me konsensus të hënën nga komisioni i posaçëm parlamentar pritet të votohen në seancën e ditës së enjte (17 dhjetor), në mënyrë që t’i hapet rruga zbatimit të ligjit nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Një nga nenet e paketës ligjore që përfshin ndryshimin e nenit 179 të Kushtetutës përcakton se deri në 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, titullarit të institucionit publik dhe vetë personave që preken nga ligji, u lihet kohë që të verifikojnë pastërtinë e tyre.

“Funksionarët e organeve të parashikuara në Kushtetutë dhe subjektet e ligjit të posaçëm që rregullon garantimin e integritetit të personave, që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruar të përmbushin detyrimet e përcaktuara në atë ligj, brenda 3 muajve nga hyja në fuqi e tij”, thuhet në nenin 4 të pr/ligjit.

Amendamentet detyrojnë gjithashtu titullarët e institucioneve ku konstatohet se ndodhen individë me të kaluar kriminale, që brenda 5 ditëve të shpallin të pavlefshëm mandatin ose të nxjerrin aktin e shkarkimit të tyre.

“Funksionarët publikë që janë emëruar në detyrë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që ushtrojnë funksionin e tyre me ose pa mandat, shkarkohen menjëherë nga detyra nëse konstatohet se përfshihen në rrethin e subjekteve që janë të përjashtuara sipas ligjit të posaçëm nga e drejta për t’u zgjedhur, emëruar apo për të mbajtur një funksion publik. Organi përgjegjës është i detyruar të nxjerrë aktin e shkarkimit nga detyra brenda 5 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit”, thuhet në amendamentet e ndryshuara.

SHKARKO APP