Në 10 vite të varfërit ulën shpenzimet për ushqime por i rritën për banesa
Për familjet, të ardhurat e të cilave janë të pakta është e kuptueshme që shpërndarja e tyre do të shkojë tek gjërat më bazike, sikurse është ushqimi. Klasa më e varfër e familjeve në Shqipëri përllogarit se shpenzon mesatarisht 53.3% të totalit për ushqime dhe pije jo alkoolike. Në thuajse 10 vite pesha e shpenzimeve është ulur me gati 8 pikë përqindje, por sërish më shumë se gjysma e shpenzimeve të familjeve me të ardhura të ulëta shkojnë për shpenzime bazike.
Për çfarë po shpenzojmë më shumë familjet e varfra? Ndonëse kanë ulur shpenzimet për ushqime, të dhënat e INSTAT tregojnë se janë rritur ndjeshëm shpenzimet për të siguruar një çati mbi kokë dhe shpenzimet që lidhen me banesën në përgjithësi. Në këtë kategori shpenzimesh përfshihen: Qiraja e paguar (si shpenzim i kryer për marrjen e ambienteve të banimit me qira nga ana e familjeve), mirëmbajtja dhe riparimi i banesës, materiale për riparim, pagesa për energji elektrike: ujë, gaz, heqje plehrash, dhe të gjitha pagesat që kanë lidhje me banesën e familjes etj. në një familje të varfër shpenzimet për këtë zë zinin rreth 16.6% të totalit, me një rritje prej 5.3 pikë përqindje në raport me një vit më parë.
Të dyja këto zëra shpenzimesh (ushqimet dhe banesa) përbëjnë thuajse 70% të totalit të shpenzimeve të familjeve më të ardhura të pakta. Për çfarë shkon pjesa e mbetur? Rreth 6.1% e shpenzimeve shkojnë për shpenzimet që kanë këto familje për mobilimin, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtjet.
5.1% të tjera të totalit të shpenzimeve, familjet e varfra përllogarisin shpenzimet e komunikimit. Edhe për këtë grup shpenzimeve, INSTAT përllogarit se pesha për familjet e varfra është rritur ndjeshëm në raport me rreth 10 vite më parë, ku një familje me të ardhura të ulëta shpenzonte thuajse dy herë më pak. Në këtë zë sipas shpjegimit të INSTAT përfshihen shërbimet postare, të gjitha llojet e shërbimeve për komunikim, telefona, celularë, faks, internet etj.
Shpenzimet më të ulëta të familjeve të varfra mbeten për arsimin, ku sipas të dhënave të INSTAT vetëm 0.2% e totalit të shpenzimeve të tyre shkojnë për këtë zë, në raport me 10 vite më parë pesha e shpenzimeve për arsim është rritur me vetëm 0.1 pikë përqindje për familjet me pak të ardhura. Po ashtu shpenzimet për argëtim dhe kulturë nuk kanë vend për familjet që shpërndajnë burimet e tyre të pakta financiare në sigurimin e gjerave bazike, sikurse është ushqimi dhe çatia mbi kokë. /Monitor/