Në 12 muaj u shënuan 39 vr*sje për hakmarrje, at*ntate maf*oze, por më e rënda ekz*kutimi në burg
Gjatë vitit që lamë pas, rendi dhe siguria u cënuan disa herë. Përgjatë 12 muajve nuk munguan, krimet e rënda kundër jetës, përshirë vrasje mafioze, vrasje si pasojë e konflikteve të çastit apo hesapeve të vjetra. Nga janari deri në dhjetor, u regjistruan 39 vrasje duke shkaktuar kështu 43 viktima. Nga këto 31 u zbardhën nga ana e autoriteteve, policisë së shtetit dhe prokurorisë, ndërsa 8 ngjarje të tjera vijojnë të jenë pa autor. Mes këtyre vrasjeve, 12 u regjistruan brenda familjes.
Vetëm një javë nga nisja e viti, një krim makabër ndodhi në Shkodër. Një grua 32-vjeçare, 6 ditë pasi lindi, hodhi fëmijën e saj në lumin “Kir” duke i shkaktuar vdekjen. Foshnja lindi në maternitetin e Shkodrës, dhe vetëm pas tre ditësh u zbulua vendi ku nëna mbyti fëmijën 7-ditëshe.
Pak ditë më vonë, Xhevit Sinani vrau me mjete të forta, gruan dhe të vëllain, Shaqir dhe Zeqine Sinani. 80-vjeçari fillimisht pranoi se krimin e kishte kryer për motive xhelozie pasi dyshonte se i vëllai i ngacmonte gruan por më pas në gjykatë deklaroi se nuk kishte vrarë njëri. Dyshohet se autori vuan nga probleme të shëndetit mendor. Një tjetër krim brenda familjes ndodhi edhe në shkurt ndërsa në muajin mars ndodhën vrasjet makabre nga Dan Hutra, i cili ekzekutoi tre gratë Mevlute Hysa, Hasime Dafku dhe Etleva Kurti.
Krimet brenda familjes, me bazë gjinore, sipas ekspertëve vijojnë të jenë një problematikë shqetësuese për vendin tonë. Shtatori ka të dhënat më të rënda për sa i përket situatës kriminale. Gjatë këtij muaji u kryen 8 vrasje me 8 viktima. Ndërsa në mars u kryen 6 vrasje me 8 viktima.
Pas krimeve në familje, në qytetet e vendit u rikthyen edhe ngjarjet për shkak të konflikteve të vjetra. I tillë ishte rasti i Ardian Nikulaj, i cili dyshohet se u vra për hakmarrje. Kjo ngjarje dyshohet se prodhoi edhe dy viktima të tjera, Nikolin Lekstakaj dhe Entjan Nikulaj.
Për ekspertët Karamuço dhe Softa, vrasja e biznesmenit ishte ngjarje shumë e rëndë, që dëshmoi se në vendin tonë mbërriti një skuadër vrasësish nga jashtë. Qyteti me numrin më të lartë të vrasjeve për 2023 e mban Tirana, me 11 të tilla që pasohet nga Shkodra me 6 dhe më pas qytetet e tjera. Ndërsa qarku pa vrasje është Kukësi.
Ekspertët e kriminalistikës shprehen se gjatë vitit pati një ulje të vrasjeve mafioze apo përplasjet e organizatave kriminale. Një ndikim në këtë drejtim e pati edhe zbërthimi i përgjimeve të rrjetit Sky Ecc dhe Encrochat. Përgjimet e zbardhura, krahas uljes së numrit të vrasjeve nga eksponentë të krimit, zbuluan një tjetër anë të medaljes, siç është bashkëpunimi i uniformave blu me grupet kriminale.
Vrasja e fundit në vend u regjistrua në një ambient të sigurisë së lartë, siç është burgu i Peqinit. I dënuari me burg përjetë Sokol Mjacaj vrau të dënuarin tjetër Arben Lleshi në qeli. Krahasuar me vitin pasardhës, në 2023 rezulton se ka patur një ulje të numrit të vrasjeve. Teksa vitin e shkuar u regjistruan 39 vrasje me 43 viktima, në 2022 u kryen 47 krime me 54 viktima. /Klan News/