Në 7 muaj 24 vrasje, shumica nga dora mafioze e paguar
Vendi po përjeton krime mafioze, masakra me të vrarë, dhe vrasësit me pagesë. Ekzekutime mafioze, krime në familje dhe shpërthime me tritol, janë ngjarjet që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës. Në 7 muajt e parë të këtij viti, në vendin tonë kanë ndodhur në total 24 vrasje që kanë shkaktuar 27 viktima.
5 prej tyre krime në familje, të tjerat vrasje për motive të dobëta dhe atentate mafioze. 13 ngjarje janë zbardhur autorë të të cilave janë arrestuar e të shpallur në kërkim, ndërsa 11 të tjerat vijojnë të jenë pa autorë, e kryesisht vrasjet e tipit mafiozë.
Numrin më të lartë të kriminalitetit, gjatë këtyre 7 muajve e mban Shkodra. Nga Janari deri më tani në këtë qark kanë ndodhur 6 vrasje. Pasohet nga Fieri me 5 ngjarje dhe 4 në Tiranë, e më pak vrasje në qarqet e tjera të vendit.
Gjatë dy muajve të fundit, ngjarjet kriminale kulmuan me vendosjen e tritolit ne automjetin e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj në Tiranë, ekzekutimin në Fushë-Krujë të Brilant Martinajt, Diklen Vatës e Besmir Hoxhës, si dhe vrasjen e Klisman Preçit në Milot.
Ekspertë të fushës së krimit, japin disa zgjidhje që do të qetësojnë situatën. Ndërhyrje e menjëhershme me politika social-ekonomike lehtësuese dhe favorizuese për zonat më të prekura nga veprimtaritë e krimit të organizuar, si dhe ato më të largëta dhe vulnerabël. Forcimi i bashkëpunimit agjensi shtetërore-shoqëri civile për rritjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimin e krimit të organizuar.