“Në betejë ke frikë të fortin” ironizon Shehaj: Shpresoj që deri në fund të fushatës të kemi një aeroport te Brryli
Nënkryetarja e LSI për Tiranën, Brisida Shehaj, e ftuar në Ora News ka reaguar ndaj sulmeve që i bën qeveria LSI, duke thënë se në luftë frikë ke më të fortin.
Shehaj ka thënë se qeveria po prodhon propagandë dhe retorikë, ndërkohë që ironizon premtimet elektorale në lidhje me ndërtimet e aeroporteve në vend.
Shehaj: Kur futesh në një betejë, frikë ke më të fortin dhe jo më të dobëtin. Kjo lloj propagande që bën qeveria është bërë e lodhshme dhe nuk e di kush i këshillon, por i them që të ndryshojnë këshilltarët. Shqiptarët e kanë kuptuar se një ditë dalin dhe thonë që kanë bërë marrëveshje me PD, ditën tjetër dalin dhe thonë që e kanë bërë marrëveshjen me LSI. Kur nuk i funksionon, hajdutët dhe kriminelët janë LSI, kurse ky zotëria që ka pasur 20 vjet pushtet, nuk ka pasur asnjëlloj faji. Këta që e kanë pasur tepsinë e vetme, nuk kanë asnjëlloj faji, fajin ia kishte LSI.
Për mua këto janë të gjitha retorikë dhe propagandë e qeverisë, sepse nuk i ka mbetur më asgjë. Unë shpresoj shumë që deri në fund të fushatës te Brryli të kemi ndonjë aeroport, se do vijmë më kollaj në shtëpi. Ti ke ndonjë dëshirë për ndonjë port, aeroport? I kemi të gjitha këto, por është të shkrihesh me lot të shikosh reagimet kur komunikojnë me njerëzit. Unë shpresoj shumë që derisa të vijë data 25 prill të marr një premtim që të kemi një aeroport te Brryli se na duhet.