Në çadër mes të ftohtit, banorët në Bubq e Thumanë kërkojnë kontenierë

Temperaturat nën zero të këtyre ditëve, i kanë gjetur dhjetëra familje në zonën e Bubqit dhe Thumanës, ende në çadrat e dhuruara pas 26 nëntorit. Nga autoritetet kërkojnë vetëm një kontenier, pasi shpresat për rindërtimin e shtëpive i kanë humbur.

Gjurmët e tërmetit të 26 nëntorit janë ende të gjalla në Bubq, më shumë se 2 muaj nga nata që shkatëroi mundin e një jete.

Më shumë se 350 familje i kaluan ditët më të ftohta të muajit shkurt në këto çadra.

“Djali i kunatit me nusen këtu, unë me djalin në krahun tjetër. Bashkëshorti në makinë, ku të mundet.”

“Gjithë mundi që kemi punuar 40 vjet na u shkatërrua për një sekondë.”

Thonë se shpresat për rindërtim i kanë humbur, ndaj kërkojnë vetëm një kontenier, për të cilin thonë se e kanë marrë vetëm mbështetësit e qeverisë.

“Sipas partisë dhe intersasve.Kam bërë kërkesë 100 herë”.

“Të vërë dorë shteti, bizneset, kush të ketë mundësi të paktën një kontenier.”

Thumana, aty ku humbën 24 jetë, të sëmurët e mbetur në çadra  ndjehen me fat mes vështirësive të shumta.

“Për çadrën faleminderit, ma kanë sjellë pëshqesh nga Turqia, vëllezërit turq. I kam kërkuar një kontenier kësaj kishës, por edhe këta më duket se i ndajnë me krahina, me fe, nuk e di.”

Një pjesë e konsiderojnë luks jetesën në kontenier në këto temperatura të ulëta.

“Me 31 ka ardhur, ma ka sjellë pastori i kishës sonë. Te komuna nuk më dhanë as çadër, as kontenier, thoshin nuk ka.Është mirë në krahasim me çadrën.”

Në pritje të rindërtimit, banorët e këtyre zonave janë të detyruar të mbijetojnë në këto kushte, me pak shpresë se zgjidhja do t’ju vijë shpejt.

Në çadër mes të ftohtit, banorët në Bubq e Thumanë kërkojnë kontenierë

/Ora News

SHKARKO APP