Në Çorovodë, ku Pëllumb Qazimi bashkoi të djathtë dhe të majtë

Nga Roland Qafoku

Dje në Çorovodë mora pjesë si i ftuar në ceremoninë e dhënies së titullit “Qytetar nderi” i Skaparit, të një prej personaliteteve më të spikatura dhe më dinjitozë të asaj zone, Pëllumb Qazimi, një ushatarak madhor deri me detyrën shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i vetmi me dy mandate, si dhe diplomat dy herë ambasador, në Kroaci dhe Slloveni. Pëllumb Qazimi është nga ata personalitete të rralla që meritojnë me plot gojën cilësimin “shërbëtor i shtetit” që ka punuar dhe drejtuar institucione gjatë kohës kur në pushtet kanë qenë të dy forcat më të mëdha politike në vend.

Jo më kot dje në këtë ceremoni ishin socialistë, demokratë, republikanë, ish-ministra, ish-deputetë dhe deputetë aktualë të djathtë dhe të majtë. Dhe të gjithë bashkoheshin duke shprehur vlerësime maksimale për të. Por mbi të gjitha, në atë ceremoni ishte dhe nderonte me pjesmarrjen e tij edhe Presidenti i Republikës në vitet 2002-2007, Alfred Mosiu. Ish-kreu i shtetit që më 1 dhjetor mbush 95 vjeç tregoi edhe dje se një burrë shteti mbetet i tillë deri në fund të jetës.

Edhe në atë ceremoni lokale, në fjalën e tij dha mesazhe bashkëpunimi për politikën dhe bëri një vlerësim maksimal për ushtarakun dhe diplomatin Qazimi. Kur shikoj dhe dëgjoj politikanë, apo zyrtarë të ndryshëm që i thonë vetes pensionistë dhe e kanë në majë të gjuhës justifikimin edhe për të dhënë një intervistë se “jam plak”, ndonëse janë 60-65 vjeç, thjesht më vjen të them se janë profile të vogla përballë një figure të madhe si ajo e Alfred Moisiut që sillet lavdërueshmë në çdo moshë, rrethanë, vend dhe kohë.

Ajo që më ra në sy në atë ceremoni ishte edhe mënyra se si Bashkia e Skraparit e kishte organizuar. Larg klisheve dhe stilit “old fashion”, kryetari Adriatik Mema kreu një event elegant, të denjë, vlerësues, gjithëpërfshirës dhe më e rëndësishmja që lë gjurmë jo thjesht te certifikata e vendosur në kornizë dhe e dorëzuar Pëllumb Qazimit, por te vlerësimi ndaj një modeli që duhet të ndjekin brezat, veçanërisht të rinjtë. Për Çorovodën, do shkruaj në një ditë tjetër.

SHKARKO APP