Në e-Albania mund t’i merrni përgjigjet e mamografisë falas, pa rekomandim nga mjeku në Tiranë dhe Elbasan

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për herë të parë ka bërë të mundur që çdo muaj i vitit t’i kushtohet një qarku në Shqipëri, ku gratë mund të kryejnë mamografi pa referimin e mjekut dhe me orare të zgjatura.

Gjatë nëntorit, vajzat dhe gratë në Elbasan dhe Tiranë mund t’i drejtohen kabineteve të mamografisë për kryerjen e vizitave falas.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sot se gjatë gjithë muajit nëntor, në Elbasan dhe Tiranë vajzat dhe gratë mund të kryejnë mamografinë falas nga e hëna deri të premten nga ora 08:00-20:00, ndërsa të shtunën, orari i vizitave është 09:00-14:00.

“Në Elbasan ata mund të drejtohen në Spitalin Rajonal për të marrë këtë shërbim, ndërsa në Tiranë ata mund të drejtohen në QSUNT, në Poliklinikën Qendrore dhe në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, thekson Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja bën të ditur se për të lehtësuar procesin e kontrollit, kanë mundësuar çdo muaj vizitë pa rekomandim nga mjeku në një nga spitalet publike në çdo qark të vendit sipas një grafiku të paracaktuar.

“Beteja me kancerin e gjirit mund të fitohet përmes parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm”, apelon ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Me një fjongo rozë, muaji tetor është kthyer në simbolin e ndërgjegjësimit për më shumë vëmendje dhe kontroll të gjirit për gra dhe burra, për të shpëtuar më shumë jetë.

Por, këtë vit Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur ta shtrijë fushatën e saj sensibilizuese edhe përgjatë muajve në vijim.

Kontrollet e rregullta janë thelbësore për luftën kundër kancerit.

/r.e/ /a.g/

SHKARKO APP