Në garë për kreun e PD? Belind Këlliçi: Basha nuk ka asnjë mbështetje
Kërkesën e deputetëve të PD-së për përbashkim të së djathtës, anëtarët e Komisionit të Rithemelimit tashmë e kanë mirëpritur, por kërkesën e një grupi deputetësh që edhe Sali Berisha të largohet, Belind Këlliçi e quan absurde.
“Ky është absurdi më i madh. Këta deputetë vetë kanë artikuluar që Sali Berishën e kanë përjashtuar përjetësisht nga PD, e kanë përjashtuar nga çdo funksion, e kanë hequr nga grupi parlamentar, nga çfarë duan këta që të bëjë një hap pas Berisha? Nga mbështetja e demokratëve? Është në absurdin logjik që një pakicë uzurpuese t’i vendosë kushte një maxhoranca te faktuar”.
Për Këlliçin, Lulzim Basha nuk ka asnjë mbështetje edhe pse sipas tij PD ka ende vend për të. Vetë mohon se do të bëhet pjesë e garës për kreun e ri të PD, të cilin Komisioni i Rithemelimit kërkon ta zgjedhjë më 30 prill, kur edhe do të mbahet Kuvendi i radhës Kombëtar.