“Në gjendje të rëndë pasi e rrahën”/ Policia mohon akuzat: I arrestuar por në shëndet të plotë
Policia e Tiranës reagon pas publikimit të një lajmi në media sipas të cilit, një 20-vjeçar është në gjendje të rëndë shëndetësore në ambjentet e Komisariatit nr.1 të Policisë.
Sipas policisë, i riu ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, kjo e konfirmuar sipas saj, edhe nga mjeku në prezencë të dy përfaqësuesve të Avokatit të Popullit.
Reagimi i plotë i Policisë së Shtetit:
Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale se shtetasi me iniciale A.B., 20 vjeç, është në gjendje të rëndë shendetësore në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.1 ju sqarojmë se:
Shtetasi A.B., 20 vjeç, i arrestuar me datë 11.12.2020, për veprat penale ““Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’ ndodhet në gjendje të mirë shendetësore, kjo e konfirmuar para pak minutash nga mjeku i DVP Tiranë si dhe në prezencë të dy përfaqësuesve të avokatit të popullit.
DVP Tiranë kërkon mirëkuptimin e medias që të mos publikojnë lajme të pakonfirmuara dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.
Më herët, ishte avokati Altin Goxhaj që bëri denoncimin.
“Dua që të bëj një denoncim, Andrea Bregu është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore në komisariatin nr.1 dhe i refuzohet shërbimi shëndetësor. Pasi e kanë rrahur, 19-vjeçari është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk po i ofrojnë shërbimin shëndetësor. Dua ta bëj në media këtë denoncim dhe ta bëj publik, Andrea Bregu quhet 19-vjeçari dhe unë po nisem për aty po marr dhe ambulancën”, tha avokati.