Në Itali projektligj për marrëveshjen me Shqipërinë, Tajani: Model i mundshëm jo vetëm për ne

Për marrëveshjen Rama-Meloni për refugjatët, numri dy i qeverisë Italiane, Antonio Tajani thotë se kjo është pjesë e një strategjie të re të BE-së për përballimin e flukseve në rritje migratore. Qeveria italiane me marrëveshjen me atë shqiptare theksoi Tajani synon që të ndalë tregun e urryer të trafikantëve, një treg që vazhdon të përfitojë nga dëshpërimi dhe të kërkojë viktima, siç ishte edhe mbytja e anijes në Lampedusa.

”Parandalimi i largimeve të parregullta, forcimi i kufijve të jashtëm, lufta kundër kontrabandistëve, përmirësimi i sistemit të riatdhesimit, zgjerimi i kanaleve legale të migracionit, mirëpritja e tyre sipas së drejtës së mbrojtjes ndërkombëtare janë përbërësit kryesorë të qasjes së re që po përpiqemi të vendosim në Evropë. Është pikërisht në këtë kuadër edhe Protokolli i Bashkëpunimit me Shqipërinë”.

Numri dy i qeverise italiane tha se do të vazhdojë të mbështesë aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar sa me shpejt në Bashkimin Evropian. Protokolli sipas qeverisë italiane përcakton se në të dy qendrat nuk mund të kenë më shumë se 3 000 migrantë në të njëjtën kohë.

“Shqipëria është një vend mik dhe kandidate për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një vend që ne do të vazhdojmë ta mbështesim në aspiratat e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Lufta kundër trafikut të paligjshëm të drogës dhe kundër krimit të organizuar është në qendër të veprimtarisë së grupeve të përbashkëta hetimore. Bashkëpunimi gjyqësor është po aq intensiv dhe me Shqipërinë jemi gjithashtu gati për të nënshkruar se shpejti një marrëveshje të rëndësishme për pensionet dhe sigurimet shoqërore”.

SHKARKO APP