Në izolim, Thomas Strakosha flet për stërvitjen e rreptë me babain
Për portierin e kombëtares Thomas Strakosha interesimi vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm, ku e ardhmja e tij është vënë në mes të dëshirës së shumë klubeve, apo rinovimit të kontratës nga Lazio. Paçka se në mediat italiane nuk ka ditë mos të kenë lajm për 25-vjeçarin, ai këmbëngul se dëshiron të vazhdojë sa më gjatë te klubi nga kryeqyteti italian.
“E kam thënë gjithmonë, jam shumë i lumtur te Lazio. Jam i kënaqur edhe nga klubi, ekipi, tifozët. Ndihem si në shtëpinë time, jam shumë afër nga Shqipëria dhe Greqia, ku kam lindur, prandaj dua të vazhdoj te Lazio”,-tha për “A2cnn”.
Trajneri personal mbetet në këtë rast babai i tij, Foto, gjithmonë i rreptë sipas Thomas, madje si dukur kur ai ishte fëmijë. “Po bëj shumë palestër, dhe pak stërvitje me babin, që akoma bërtet. Po përpiqem të mbahem në formë”.
Futbolli, fusha, stadiumi, klubi, shoqëria e gjithçka në këto kohë pandemie kanë më shume vlera. “Futbolli më mungon shumë sepse është jeta ime. Edhe shokët e ekipit se jemi bërë si familje. Më mungon shumë normaliteti, por tani gjeja kryesore është të rrimë në shtëpi”.