Në kujtim të jetës dhe veprës të Prof. Dr. Ing. Alfred Gjon Paloka
Prof.Dr.Ing. Alfred Gjon Paloka lindi 22.07.1938 në një familje intelektuale qytetare shkodrane dhe ndërroi jetë më 21.02.2012 në moshën 74 vjeçare. Shkollën e mesme e mbaroj në Tiranë dhe studimet e larta në USHT, ku në vitin 1963 u diplomua inxhinier elektrik me rezultate shumë të larta.
Në 1963 emërohet pedagog në degën elektrike të Fakultetit të Inxhinierisë (F.I.) të USHT, ku pas disa vite pune intensive arrin një karrierë akademike të shkëlqyer, ku deri në 1986 ushtron dhe detyrën e Zv.Dekani të F.I. të USHT (ku përfshihen degët: mekanike, elektrike, ndërtimi, elektrike, tekstil, metalurgji, arkitekturë, etj.).
Prof. Dr. Ing. Alfred Paloka krahas veprimtarisë cilësore në F.I, ka dhe një karrierë shumë të pasur profesionale. Kështu në vitin 1986-1992 emërohet Zv.Drejtor dhe më pas drejtor i Institutit të Energjitikës; më pas drejtor i drejtorisë së studimeve dhe projekteve në KESH (1996-1998).
Në 1998-’99) emërohet Drejtor i Përgjithshëmnë KESH (ku përfshiheshin drejtoritë përkatëse që tani përbëjnë OST; OSHEE, etj).
Në periudhën 1992-96, zgjidhet deputet i Parlamentittë R.SH. Në 2002-2004 kryen detyrën e Këshilltarit të jashtëm të Kryeministrit, por dhe atë të këshilltarit të KVP të Kuvendit Popullor.
Një kontribut të shquar Prof. A.Paloka ka dhe në shtabin qëndror për elektrifikimin e vendit, ku në vitet 1966-1967 degës elektrike të F.I, ju ngarkua detyra e elektrifikimit të qarkut të Dibrës. Këtu u mobilizuan të gjithë studentët, pedagogët dhe personelin ndihmës i degës elektrike, ku Prof. A.Paloka ishte titullari kryesor në këtë detyrë.
Kontributimë i spikatur i Prof. A.Paloka është ai në fushën akademike në FI të USHT dhe në Institutin e Energjitikës. Kështu krahas përgatitjes cilësore të zhvillimit të proçesit mësimor, një kujdes të veçantë i kushtoj kualifikimit shkencor të gjithë pedagogëve të FI, por dhe të atij personal, sektor të cilin ai e drejtonte. Prof. A.Paloka është ndër pedagogët e parë të FI, që ka fituar të gjitha shkallët e kualifikimit pas universitare. Kështu në 1978 fitoj gradën KSHT, më pas në 1981, titullin Docent dhe është ndër të paktët pedagog të USHT dhe FI, që arriti të pergatitë dhe të mbrojë shkallën e dytë të kualifikimit atë të Doktorit të Shkencave (1991), e cila pas 1992 u dha me vendim qeverie, duke ekuivalentuar gradën e KSHT në atë të Dr.
Pas 1972 Prof. A. Paloka bëri një seri kualifikimesh, si në Paris në: ²Ecole superior del Electricite², në Mynih, në Grenoble dhe në Geneve (Zvicër).
Prof. A. Paloka ka qënë titullar i lëndëve: 1) Elektroteknikë e Përgjithshme e zhvilluar në FI, 2) Qarqet elektrike shifrore, zhvilluar në degën elektrike dhe elektronike, (për shumë vite). Po ka dhënë leksione problemore të veçanta në: Fakultetin Teknik të Prishtinës (1978) dhenë F. Elektronikës në U. Shkupit (1978), por dhe leksione pas universitare.
Prof. A. Paloka dallohej për veprimtari të gjërë kërkimore dhe shkencore si dhe botuese. Ai është autor dhe bashkëautor i 32 artikuj shkencor të botuara në revistat e vendit dhe ndërkombëtare, kryesisht perendimore, por dhe lindore, si në: Francë, Gjermani, Belgjikë, Zvicër, Poloni, etj, por dhe në SHBA.
Ka dhe shumë referate (rreth 15) të referuara por dhe të botuara në aktet e konferencave kombëtare, por më tepër ndërkombëtare të periudhës pas viteve 1990.
Kontribut të rëndësishëm, krahas hartimit të planeve dhe programeve mësimore të degës elektrike, mekanike, etj; ka dhënë dhe në fushën e botimit të teksteve mësimore dhe ndihmëse mësimore universitare dhe të monografive të veçanta. Kështu Prof. A. Paloka, ka botuar rreth 18 libra, nga të cilët mund të përmëndim: 1) Elektroteknika e Përgjithshme; pjesa I, II, III; 2) Qarqet elektrike shifrore; 3) Qarqet e llogjikës kombinatore; 4) Elektroteknika për degën e Fizikës; 5) Elementë të informatikës teknike; 6) Grafet dhe përdorimi i tyre në …..; 7) Burimet e Ripërtërishme të Energjisë (BRE), etj.; që kanë lënë gjurmë të thella nëfondin e teksteve Universitare.
Elektroteknika e Përgjithshme 1,2,3, për thellësinë e ndërtimit të saj, ka mbetur aktual dhe përdoret edhe sot nga pedagogët dhe studentët e UPT e më gjërë. Ndërsa BRE është ndër botimet e para në këtë fushë në gjuhën shqipe, dhe është i një rëndësie të veçantë.
Kontributi për shumë vite i Prof. A. Palokës është i dalluar në të gjithë Fak. Inxhinierike dhe në fushën e studimeve të industrisë elektroenergjitike, ku ka punuar për një periudhë 45 vjeçare, për të cilët ai do të mbetet i paharruar nga brezat e studentëve, pedagogëve, inxhinierëve dhe specialistëve të elektroenergjitikës.
/Prof.Dr.Ing. Angjelin SHTJEFNI/