Në një ditë 26 zjarre, ja ku janë dëmet më të mëdhaja
Situata me zjarret në vend vijon që të jetë e rëndë. Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile raporton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 26 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë, por aktualisht janë aktive 5 vatra.
Në pyjet e fshatit Ndershen në Mirditë u dogjën pisha dhe pemë lis. Në zonë shkuan 4 automjete zjarrfikëse të cilat e patën të pamundur të ndërhynin, për shkak të terrenit shumë të vështirë malor. Në këtë zonë mund të ndërhyhej vetëm nga ajri, ndërsa një helikopter u përpoq të shuante flakët.
Vatrat e tjera aktive janë në fshatin Halil, bashkia Krujë, Fshatin Velçan në Berat, në fshatin Bogë, Malësi e Madhe dhe në fshatin Qukës në Përrenjas. Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat e ullishtave në veriperëndim të qytetit të Elbasanit. Zjarri ka nisur pranë fshatit Shijon dhe është përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave ekstreme.
E gjithë puna e zjarrfikëseve, ekipit të emergjencave dhe banorëve të zonës është përqendruar për shpëtimin e banesave që rrezikohen nga flakët. Një banese e braktisur është djegur ndërsa të tjera shtëpi rrezikohen. Terreni malor e ka bërë edhe më të vështirë ndërhyrjen me mjete ndërsa flakët përparojnë më shpejtësi. Deri tani numërohen me qindra rrënjë ulliri të djegura, ullinj qindra vjeçar por edhe fidanë të rinj.
Një tjetër vatër problematike në qarkun e Elbasanit është ajo në malet mes Gramshit dhe Pogradecit ku dhjetëra hektarë pyje ahu dhe pishe janë shkrumbuar nga flakët. Zjarrfikëset e bashkive Gramsh e Pogradec, ekipet e pyjores dhe forcat e ushtrisë prej dy ditësh po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.