Në Peqin, çifti i avokatëve pozitiv me Covid-19
Në qytetin e Peqinit kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 dy persona, të cilët janë burrë e grua. Të dy janë avokatë dhe pavarësisht se jetojnë në Tiranë tamponi iu bë në Peqin, pasi kishin simptoma. Kurse në Elbasan sot është konfirmuar vetëm një rast pozitiv. Bëhet fjalë për një punonjës të bashkisë, i cili është specialist dhe punon në njësinë administrative Labinot.
Kurse në qarkun e Beratit janë konfirmuar nga autoritet shëndetësore tre persona. Personat e prekur janë dy infermiere, ndërsa rasti tjetër është një person me profesion kasap. Infermieret e prekura janë njëra nga materniteti dhe tjetra nga Qendra Shëndetësore Vakëf. Njëra nga infermieret mësohet se gëzon gjendje të mirë dhe është karantinuar në banesën e vet.
Një 27-vjeçar i cili ka qenë i infektuar dhe që ka qenë i shtruar në spitalin infektiv por asimptomatik, ka ndërruar jetë ditën e sotme. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë i riu nga Kavaja ka qenë talasemik dhe ka ndërruar jetë si pasojë e aksidentit vaskular cerebral. ”Ministria e Shëndetësisë sqaron se, referuar shërbimit infektiv, një i ri 27-vjeçar nga Kavaja, ka ndërruar jetë si pasojë e aksidentit vaskular cerebral. 27-vjeçari vuante nga një sëmundje e lindur e gjakut dhe ishte asimptomatik për Covid-19. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes”.