Në pikun e sezonit turistik, Velipojës i mungojnë turistët por jo pirgjet me mbeturina

31 Korrik 2019, ora 23.00 – 23.30. Çfarë katastrofe, Velipoja në gjendje të mjeruar.

Jemi në pikun e sezonit turistik. Velipoja do të duhej të gumëzhinte nga pushuesit, por fatkeqësisht ka me pak vizitorë se sezonet e kaluara. Por problemet i kanë mbetur të njëjta ama, për të mos thënë që çuditërisht i shtohen.

Mbeturinat janë prezente kudo, madje edhe në shëtitoren kryesore në qender dhe të “urojnë” mirëseardhjen në formën më të shëmtuar. Lulishtja kryesore i ngjan një pazari ku dikush tregton, të tjerë kanë hapur tavolinat dhe bëjnë biznes në hapësirën e gjelbërt të ndërtuar nga parate tona.

Keqmenaxhimi është prezent kudo, mjafton të hedhësh sytë majtas apo djathtas!

Çfarë zhgënjimi por edhe trishtim. Do të duhej të ishte poli kryesor i zhvillimit turistik dhe ekonomik të rajonit Shkodër e më gjerë, por fatkeqësisht ofron shumë pak.

Velipoja për sa kohë që shihet si një aneks për të mbushur arkën e bashkisë për 2 muaj turizëm, duke marrë pa i dhënë, çdo vit e me keq do të jetë.

Ky duhet të jetë leksion për këdo që do të marrë në dorë fatin e Shkodrës, sepse partia ikën dhe vjen, ndërsa ky qytet me të mirat dhe të këqijat e tij do të jetë aty dhe historia ka për t’ju gjykuar.

Bizneset nga ana tjetër kanë fajin e tyre por do të duhet një analizë tjetër për ta.

Më vjen keq për ata që vijnë të shpenzojnë pak para në vendlindje dhe përballen me këtë realitet të zymtë.

Mos u ankoni pastaj pse po ikin pushuesit dhe përse zgjedhin vende të tjera në rajon e Europë. Fatmirësisht ka ardhur dita të zgjedhesh …/Oranews/

SHKARKO APP