Në pranga 16 shoferë, gjoba 256 të tjerëve dhe pezullohen 35 patenta
Policia Rrugore ka shtuar kontrolle të shtuara në të gjitha rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane që lidhen me Tiranën, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Gjatë fundjavës janë arrestuar 16 drejtues mjetesh që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.
Gjithashtu është vënë në pranga, për mitëdhënie, një tjetër drejtues mjeti në gjendje të dehur, i cili për të shmangur testin e alkoolit, i ofroi punonjësve të Policisë Rrugore 5.000 lekë të rinj.
Janë ndëshkuar me masë administrative nga 10.000 deri në 20.000 lekë të rinj secili, 12 drejtues mjetesh, për drift në sheshin “Nënë Tereza” dhe tek TEG-u. Si dhe 9 drejtues të tjerë mjetesh, me nga 20.000 deri 40.000 lekë të rinj secili, për gara shpejtësie në Unazë të Re, në segmentin Liqeni i Thatë-TEG.
Njëkohësisht, janë ndëshkuar me nga 20.000 deri në 30.000 lekë të rinj, për shkelje të semaforit 18 drejtues mjetesh; 14 drejtues mjetesh luksoze, me nga 5.000 deri në 20.000 lekë të rinj secili, për xhama të zinj, modifikim targash dhe mangësi të theksuara në dokumentacion.
Janë pezulluar 35 leje drejtimi, për shpejtësi dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Janë vendosur 256 masa administrative, për parakalime të gabuara dhe parkime mbi trotuar apo në vija të bardha.