Në pritje të dozës së dytë të Coronavac, ISHP: Shtyrja e vaksinës nuk është problem

500 mijë doza të vaksinës Coronavac priten që të mbërrijnë në vend, pasi janë me qindra qytetarët që janë në pritje të marrjes së dozës së dytë të vaksinës anti-covid. Mësohet se kontrata për blerjen e të cilave u miratua një ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Për të gjithë ata që tanimë janë të shqetësuar se u ka kaluar data kur duhej të bënin dozën e dytë të vaksinës, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, theksojnë se nuk përbën asnjë problem, madje shtyrja e vaksinës bëhet shpesh te fëmijët. “Nuk ka problem, doza e parë vazhdon te stimulojë organizmin për prodhimin e antitrupave”, shpjegon Iria Preza.

500 mijë dozat e tjera të vaksinës Coronavac do të mundësohen sërish nëpërmjet ditributorit turk. Bëhet fjalë për të njëjtën vaksinë të prodhuar nga Sinovac, por të paketuar në Turqi. Sipas ISHP-së, kjo nuk cenon aspak cilësinë e vaksinës, pasi është i njëjti princip aktiv me 500 mijë dozat e para. Sipas ekspertëve të vaksinimit në ISHP, nuk priten vonesa për sasinë e porositur, pasi thjesht duhej kryer procedura, e cila kaloi një ditë me parë.

SHKARKO APP