Në pritje të vendimit për Shqipërinë, Merkel: Shanset nuk janë shumë të mira
Gjermania ende kërkon gjetjen e një pozicioni të përbashkët me Francën për çeljen e negociatave. Presidenti Macron, që kundërshton çeljen e tyre përmend numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë në Francë.
Brexit do të jetë tema qendrore në samitin dyditor të Bashkimit Europian që fillon të enjten në Bruksel. Arritja e një marrëveshjeje në minutën e fundit po kërkohet intensivisht nga të dyja palët. Megjithëse Brexit nuk qëndronte në axhendën e ditës ai do të sundojë orët e debatit që ishin planifikuar për buxhetin e BE-së për vitet e ardhshme. Me interes pritet po ashtu se si do të pozicionohen vendet e BE në deklaratën e përbashkët të samitit për Turqinë dhe ofensivën në Siri.
Merkel: Shanset nuk janë shumë të mira”
Një temë tjetër në samit është edhe grindja në BE për çeljen e negociatave mes BE dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Me veton që vuri Franca në takimin e ministrave të Jashtëm të BE të martën i ktheu kundër shumë vende anëtare që e kërkojnë çeljen e negociatave. Kjo temë u diskutua edhe në takimin mes Merkelit dhe Macronit në Tuluzin francez, ministrat e të dy vendeve nënshkruan projekte të përbashkëta në drejtim të politikës së mbrojtjes. Si Gjermania edhe Franca janë ende duke punuar për të gjetur një pozicion të përbashkët deri në samitin e BE, që duhet të miratohet edhe nga vende të tjera, tha Merkel.
Por në deklaratën qeveritare të enjten në Bundestag, para largimit në Bruksel, Merkel tha: “Më duhet t’iu them se shanset nuk janë shumë të mira.” Ajo u shpreh sërish pro perspektivës së anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjermania ndjehet veçanërisht e lidhur me vendet e Ballkanit dhe do t’i afrojë ato me BE, tha ajo. Ne u kemi ofruar ura partnerëve që kishin dyshime, tha Merkel. Në samit ende nuk është e sigurtë një votë unanime.
Në përgjithësi, Merkel e vlerësoi samitin në Bundestag si të pasigurtë në rezultatet e tij. “Nuk mund të them se si do të përfundojë ky samit”, tha ajo.
Një ditë më parë Merkel i kishte relativizuar pohimet, se mes Gjermanisë dhe Francës ka diferenca të mëdha në drejtim të perspektivës së anëtarësimit të të dy vendeve ballkanike. Të dyja palët e mbështesin perspektivën e anëtarësimit, tha Merkel në Tuluz të mërkurën. Ajo e mbështet madje dëshirën e Francës për një reformim të procesit të anëtarësimit që duhet të jetë transparent dhe i kthyeshëm në rast të zhvillimeve negative. Sipas Merkel, bisedimet e anëtarësimit duhet të fillojnë, kur të sqarohen çështje të caktuara. Por në këtë rrugë “ka disa nuanca të ndryshme”, tha ajo.
Macron: Shqiptarët të dytët ndër azilkërkuesit në Francë
Presidenti Macron i vlerësoi përparimet e bëra nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, por këtë herë do të zgjasë pak më gjatë deri sa të fillojnë negociatat, tha ai. Macron, i cili deri më tani, kundërshtimin e tij e kishte argumentuar me thellimin e BE para zgjerimit, pranoi në konferencën e shtypit me Merkel edhe arsye të brendshme që e bëjnë Francën të hezitojë. Shqiptarët përbëjnë grupin e dytë më të madh të azilkërkuesve në Francë, në këto kushte është e vështirë t’i shpjegosh popullit, se duhen filluar negociatat me këtë vend, tha Macron.
Më parë edhe kreu i Dhomës Lindore të Tregtisë dhe Ekonomisë Gjermane, Michael Harms ishte shprehur për fillimin e shpejtë të bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai paralajmëroi për ndryshimin e atmosferës në këto vende që janë shumë proeuropiane.
Më parë kishte pasur zëra që shprehnin zhgënjimin e Gjermanisë për rezistencën e Francës kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ministri i Shtetit për Europën, Michael Roth, (SPD) u shpreh, se nëse BE nuk ia del dot të rrisë prezencën në Ballkan, rrezikon një vakuum pushteti që mund të mbushet nga fuqi të tjera. Gjermania është “shumë e zhgënjyer” që nuk mund të mbahet ajo që është premtuar disa herë, tha Roth. Sepse me çeljen e negociatave bëhet fjalë për “një sinjal të qartë për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe pajtimin për të gjithë Europën.”
Në samit do të ketë përpjekje për të bindur Macronin. Argumenti i fuqishëm i përkrahësve të çeljes së negociatave është vënia në diskutim e besueshmërisë së BE, kur nuk mban premtimet. Nga qarqet qeveritare gjermane është bërë e ditur, se puna vazhdon intensivisht. “Kjo nuk është një temë që do të trajtohet si ndër të tjera”, tha një përfaqësues gjerman./DW