Në qeli, apo në liri? Deri tani 50 mijë firma për lirimin e “Ballist” Morinës

Ismail Morina qëndron i mbyllur në qeli, pasi u vu në pranga një ditë para ndeshjes, Shqipëri-Serbi. 

Pas arrestimit, gjykata dha burg pa afat ndaj tij.

Ka dy qëndrime mbi arrestimin e Morinës, të mbetet në burg ku akuza kërkon minimumi 7 vjet heqje lirie për dy armët që mbante pa leje, apo të lirohet si heroi i dronit që ngriti në Beograd.

Përkrahësit e tezës së parë thonë se Ballist Morina është hero i rremë,  pa asnjë lidhje me suksesin kuqezi, dhe shumë larg figurës së heroit të vërtetë që ka kombi, Isa Boletini, me të cilin gabimisht po krahasohet, ndaj duhet të përgjigjet para ligjit.

Të dytët besojnë se ai kreu një akt heroik kur ngriti flamurin në Beograd dhe madje i është kërcënuar jeta, madje pretendohet se nacionalistët serbë kanë paguar për ta vrarë atë dhe ka një fletë arresti nga Beogradi. Armët me të cilat u kap nga policia më 7 tetor, mund të justifikohen nga drejtësia, sepse i mbante prej një viti për vetëmbrojtje dhe nuk kishte kryer me to asnjë akt të rrezikshëm për shoqërinë.

Edhe politika është e ndarë në këtë drejtim. Opozita ka bërë të qartë qëndrimin, duke kërkuar lirimin e tij. Gjykata thotë se ka respektuar ligjin, maxhoranca shprehet se  nuk ndërhyn në punët e drejtësisë.   

Kësisoj, është marrë nisma e “Tifozëve Kuqezi” për lirimin e Ismail Morinës, i njohur ndryshe si “Ballist” Morina. Kjo nismë është ndërmarrë sot edhe në qytetin e Durrësit.

Grupimi i tifozëve u nda në dy pjesë për të lëvizur në rrugët kryesore të qytetit me synimin për të siguruar  mbështetjen e nevojshme qytetare nëpërmjet firmave të tyre në një peticion të përpiluar pikërisht për të.

Sipas një prej përfaqësuesve të këtij grupimi, deri tani janë mbledhur 50 mijë firma, ndërkohë që puna në këtë aspekt do të vazhdojë.

Ismail Morina e bëri të njohur emrin e tij teksa nëpërmjet një droni shfaqi në stadiumin e Beogradit në sfidën Serbi-Shqipëri banderolën e Shqipërisë së Madhe, ku shkruhej “Autochtonus”.

SHKARKO APP