Në shkollë me maska, ja çfarë rekomandojnë ekspertët
Hapja e shkollave është kryefjala në shumë vende të botës në këtë kohë pandemie. Ndërsa disa flasin për hapje me masa të larta sigurie, të tjerë kanë zgjedhur mësim në distancë apo nga televizori.
Në Britaninë e Madhe, opinionet janë të ndara. Skocia ka vendosur t’i bëjë të detyrueshme maskat në hapësirat e ndara në shkolla, bazuar në udhëzimet e OBSH-së, ndërsa në Angli nuk ka një vendim të tillë për mësuesit.
Çfarë rekomandon OBSH-ja? Zëdhënësja e organizatës, Margaret Harris, tha për BBC se vende të ndryshme duhet të shqyrtojnë se çfarë funksionon për ta dhe komunitetet e tyre. Ajo tha se maskat duhet të përdoren në mënyrë strategjike, bashkë me masa të tjera si distancimi social, higjiena dhe ajrosja.
Fëmijëve po ashtu duhet t’u mësohet se si t’i përdorin maskat siç duhet, t’u mësohet që të lajnë duart para se t’i vendosin ose t’i heqin ato dhe të kenë edhe një çantë të posaçme për t’i mbajtur.
Pavarësisht se fëmijët nuk shihen si një burim i madh transmetimi, të dhënat tregojnë se infektimet po kalohen gjithnjë e më shumë nga një i ri te tjetri dhe në disa vende, të rinjtë janë bërë faktorë të shpërthimeve të virusit. Disa grupe prindërish kanë shqetësime për pasojat e mbajtjes me detyrim nga fëmijët me autizëm, probleme me dëgjimin apo astmën. Dhe ato, sipas Harris, duhen marrë shumë seriozisht.