Në Shqipëri pl@mbat po prekin të pafajshmit, dhe ata janë në punë si kamarierë për një kafshatë bukë

Jetë që priten në mes nga plumba që vërshojnë pa parë e pa mëshirë. Ditët e fundit vendi është tronditur nga vrasjet. Ersild Ishmi dhe kunati i tij Arsid Hoxha mbetën të vrarë natën e 19 gushtit në Velipojë. Breshëria e plumbave që kishte ata si objektiv, lanë të plagosur edhe kamerierin e hotelit ku ndodhi ngjarja. 26-vjeçari Zyber Zagrad është vetëm i pafajshmi i radhës që bie pre e plumbave të krimit.

Gledio Muka në Memaliaj mbeti i vrarë gjatë punës së tij si kamerier njëjtë si 20-vjeçari Myzerim Zeneli, i cili u vra në ditën e parë të punës si kamerier. Po ashtu edhe 58-vjeçarja Mimoza Paja mbeti e vrarë në ”Don Bosko”, ku breshëria e plumbave ngatërruan shënjestër.

Lista e personave të cilët janë gjendur në vendin dhe kohën e gabuar ndër vite mbetet e gjatë, teksa krimi vijon të godasë. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha i cilëson këto ngjarje kambanë alarmi që kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe se do të jetë në krah të çdo punonjësi të ndershëm për të dekurajuar krimin dhe forcuar sundimin e ligjit në vend.

Postimi i plotë nga Ministri i Brendshëm

Të qarkullosh me armë zjarri në rrugë, qendra të banuara e kudo, për qëllime kriminale, siç ka ndodhur ditët e fundit apo edhe sot në Malësinë e Madhe, nuk është thjesht një këmbanë alarmi. Kjo këmbanë na vendos përballë një detyre të madhe: Për të gjetur mekanizmat e menjëhershëm për kontroll më të mirë e më efikas të territorit, për tê siguruar informacionin e duhur, me qëllim parandalimin. E nga ana tjetër dhe po me kaq rëndësi, për të ndryshuar dhe reformuar organizatën e Policisë, nga qendra në bazë, në një shërbim model, pasqyrë e shoqërisë tonë, model që mund ta ofrojnë vetëm drejtues profesionistë dhe me integritet, dhe një organizatë e mirëstrukturuar dhe reaguese mëse e shpejtë.

Në detyrën e Ministrit të Brendshëm do të mbështes maksimalisht dhe pa asnjë hezitim të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, struktura që busull në punën e tyre kanë ligjin dhe vetëm ligjin, pavarësisht rrezikut dhe vështirësive, siç po përballet sot Policia e Shkodrës në luftën e saj kundër kultivimit të kanabisit apo Policia e Shtetit në përballjen e saj me krimin në çdo cep të vendit.

Do të jem krah çdo punonjësi të ndershëm për të dekurajuar krimin dhe forcuar sundimin e ligjit në territor. Qytetarët dhe Shqipëria turistike duan një Polici efikase në çdo moment, për të garantuar jetën dhe pronën, për të siguruar një ambient të sigurt shoqëror dhe respektim të të drejtave e lirive themelore të tyre.

SHKARKO APP