Në Tiranë shtohen fëmijët, Gjirokastra po plaket më shpejt
Numri i lindjeve ka rënë sërish në tremujorin e tretë të vitit, me 7.4% në krahasim me një vit më parë. mNë të njëjtën masë ka rënë edhe numri i vdekjeve, duke bërë që shtesa natyrore e popullsisë të jetë pozitive në periudhën korrik-shtator.
INSTAT bën me dije se në gjashtë qarqe të vendi shtesa natyrore është pozitive, ndërsa në gjashtë tjera negative, ku përfshihen Gjirokastra, Berati, Vlora, Korça, Fieri dhe Shkodra. Ndërkohë shtesën pozitive më të lartë në vend vijon ta ketë Tirana, ndjekur nga Durrësi, ndërsa Korça ka shtesën më të ulët.
Gjatë këtij tremujori qarku që pa numrin e lindjeve të rritet në krahasim me një vit më parë është Tirana, ndërsa në Gjirokastër është numri më i ulët i lindjeve.m Sa i përket vdekjeve, numri më i lartë është në Fier dhe në Tiranë, ndjekur më pas nga Durrësi.
Gjatë 9 muajve të parë të këtij viti lindën 16 353 fëmijë, ndërsa vdekjet ishin rreth 15 mijë. Shtesa natyrore e popullsisë po pëson një rimëkëmbje pas tre viteve pandemike, ku në 2021-in vendi njohu një shtesë negative të fortë, për shkak të vdekjeve nga koronavirusi. Ndërkohë në tremujorin e parë të këtij viti vendi përjetoi më shumë vdekje se sa lindje, duke ngritur shqetësime për lëvizjet demografike të vendit.