Në tre muaj u shpërndanë mbi 10 mijë leje legalizime
Pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, numri dy i PD-së, Gazment Bardhi përmes një denoncimi akuzoi ministren Belinda Balluku si të përfshirë në skemën e blerjes së votave në këmbim të legalizimit të banesave.
Nga janari në mars të këtij viti, vetëm pak para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në vendin tonë u legalizuan 10 003 objekte. Kjo është mesatare e lartë, por jo me e larta e kësaj qeverie. Në vitin 2016, numri i legalizimeve arriti rekordin me 48 351 objekte të legalizuara, teksa vetë kryeministri Rama e vuri këtë proces në pararojën e zgjedhjeve të 2017-ës.
Ndikimi tek vota, përmes lëshimit të lejeve të legalizimit nënvizohet edhe në raportin paraprak për zgjedhjet e 25 prillit të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE-OHDIR-it ku thuhet ”MKVZ-ja e ODIHR-it mori edhe raportime për përpjekje të bëra për ndikim të votës përmes ofrimit të stimujve. Këtu futet edhe lëshimi i lejeve për legalizim”.
Strategjia e legalizimeve masive me efekt elektoral ka qenë jo vetëm pjesë e zgjedhjeve qendrore por edhe atyre lokale. Në raportin e vitit 2015 ODHIR përcolli të njëjtin shqetësim “Një numër personalitetesh të larta nga partitë e mëdha qeverisëse përdorën aktivitetet dhe burimet shtetërore për qëllimet e fushatës, duke përfshirë shpërndarjen e certifikatave për legalizimin e pasurisë, e cila mjegulloi ndarjen midis shtetit dhe partisë”. Nga viti 2006, deri në mars 2021 janë legalizuar 209757 objekte. Kësaj shifre i shtohen dhe 12000 apartamenti apo njësi shërbimi të legalizuara përmes VKM 19/2017 për legalizimin e pallateve të braktisura. /EuroNews Albania/
KOHA JONË SONDAZH

