“Në tryezë do ngelen veç Rama e Vuçiç”, Biberaj: “Mini-Shengeni”, krijesa që lindi e vdekur
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj teksa komentoi nismën për “Mini-Shengenin”, ku Kosova ka refuzuar që të marrë pjesë, në mënyrë figurative deklaroi se është një krijesë që ka lindur e vdekur. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Biberaj deklaroi se axhenda zyrtare e Shqipërisë për të bashkëpunuar dhe me Serbinë, duhet të kalojë nga Prishtina.
Po ashtu ai theksoi se Serbia ka synuar gjithmonë në mënyrë djallëzore që t’i paraqesë kosovarët si terroristë.
“Është një strategji që serbët po përpiqen që ta përdorin. Duhet të kemi parasysh disa dekada, sidomos dekadën e parë. Serbët e humbën luftën në Ballkant. Duhet të kemi parasysh dhe ndërhyrjen e NATO-së dhe në kushtet e mungesës së partneritetit, ata në vitet 2000 nisën të faktorizoheshin. Dihet raporti që kanë ata me shqiptarët, apo me Malin e Zi. Janë të izoluar (serbët). Kanë një pozicionim as në lindje as në perëndim. Ata përpiqen që të krijojnë një aleancë me Shqipërinë, sa i takon Shengenit të Ballkanit. Por është strategjie e gabuar. Ne nuk jemi vende fqinj me Serbinë. Por kemi Kosovën në mes. Mendoj dhe jam i bindur se rruga jonë duhet të kalojë nga Prishtina. Këtë synon Serbia në mënyrë djallëzore. Duke i paraqitur kosovarët si terroristë, si dhunues të kulteve. Politika zyrtare e Tiranës duhet të kalojë nga politika zyrtare e Kosovës në ato që lidhen me Serbinë. Është një krijesë që ka lindur e vdekur. Do të mbetet në fund, vetëm Rama me Vuçiç në tryezë, pasi Minishengeni nuk ka mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ne e kemi “Shengenin Europian””, theksoi Biberaj.
Teksa u ndal tek reforma zgjedhore, demokrati tha se pritet që ajo të përfundojë më 15 mars, duke i hapur kështu rrugë sipas tij zgjedhjeve të parakohshme.
“Reforma zgjedhore është në procesin e vet. Duhet të përfundojë në 15 mars, siç është përcaktuar dhe nga palët, që të bëhemi gati për zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme. Shqipëria është kthyer në sistem monist. Jemi jashtë gjithë standardeve, ku Shqipëria rrëshqet në pozitat e vendeve afrikane, për mediat, për ndarjen e pushtetit, për klimën e të bërit biznes. Shitblerja e votës është vullnet. Duhet të ndëshkohet shkaktari. Është mbi të gjitha vullneti politik. Do kemi dhe zgjedhje të parakohshme që do t’i fitojë opozita. Duhet të kemi kushtin që të kemi një qeveri kujdestare që përgatitet për zgjedhjet. Jam i bindur që do të ketë zgjedhje të parakohshme. Është e vetmja zgjidhje. Vendet e rajonit shkojnë në zgjedhje për gjëra më të vogla. Si në rastin e Maqedonisë, Kosovës, apo Sllovenisë. Mekanizmin e ka në dorë kryeministri. Ne jemi të gatshëm që të hyjmë në zgjedhje. Ne do të hyjmë në zgjedhje dhe duhet të ndeshemi dhe të përballemi me çdo forcë politike”, tha Biberaj.