Në vendin e 21 në listën e PS, Kodheli: Ia pranova Ramës këtë sfidë. Do ta thyej kufirin

Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli është shprehur e sigurt në fitoren e kësaj force politike për zgjedhjet e 25 prillit. E ftuar në ”A2 Cnn”, ajo tha se këtë bindje e bazon te qytetari shqiptar, i cili sipas saj voton më shumë majtas.

Nga ana tjetër, ajo theksoi se Partia Socialiste në Tiranë do të marrë 19 mandate. Për më tepër Kodheli deklaroi se ia ka pranuar Ramës këtë sfidë, që e ka renditur atë të 21-ën në listën e kandidatëve socialistë për qarkun e Tiranës dhe thekson se do ta thyejë kufirin dhe do të ketë rezultate surprizuese.

”Unë kam bërë një diskutim me Ramën, unë ia kam pranuar këtë sfidë dhe vij e qetë në këtë garë. Nuk kam shfaqur asnjëherë pakënaqësi, përkundrazi besoj te ajo që kam bërë në 20 vite pse unë përfaqësoj atë forcë politike dhe jam ajo që jam. E kam marrë seriozisht si një sfidë që do ketë rezultat surprizues. Do të jetë më e lehtë se dikush që njihet më pak në politikë. Dalja është më favorizuese se një që nuk del, të qenit gjatë në politikë mbase të konsumon. Gjërat po i ke bërë mirë nuk ka pse të konsumojë, nuk e besoj çështjen e konsumit politik, pragmatizmi i njerëzve dhe pozitiviteti në raport me mua dhe favori që kam vite në politikë. Unë do ta thyej herësin dhe kufirin. E di që njerëzit do të më besojnë votën. Unë do vazhdoj, nuk i lë fushatat e betejës. Jam në këtë betejë, më pëlqejnë sfidat. Nuk është as e para, as e fundit dhe kjo forcë e brendshme më shtyn t’i bëj sfidat mirë dhe të sinqerta, pa paramendim”.

Duke e konsideruar një fushatë intriguese dhe me sfida të mëdha, Kodheli shprehet se do të ketë surpriza të këndshme, por i rëndësishëm është procesi zgjedhor.

SHKARKO APP