Në verë pa pandemi, Rama “çudit dynjanë”: Shpejt nisim vaksinimin masiv të popullsisë

Edhe pse vaksinimi po ecën me ritme të ulëta, kryeministri Edi Rama ka shprehur besimin se sezoni veror do ta gjejë vendin në normalitet. Në prezantimin e programit të shëndetësisë, ai theksoi se shpejt do të nisë vaksinimi masiv.

“Ambicia ime, aspirata ime, ëndrra ime po të doni është që sezoni i ardhshëm turistik të jetë i lehtësuar për shkak të një vaksinimi intensiv, mars, prill,” tha Rama.

Sipas tij, për përballimin e pandemisë është rritur numri i personelit në dispozicion të shëndetësisë.

“Sot në sistemin tonë shëndetësor janë 1234 mjekë dhe 3500 infermierë dhe infermiere janë punësuar nga testimi kombëtar përmes portalit,” shtoi ai.

Qeveria ka siguruar 2 kontrata një me Pfizer dhe një Covax me 1.6 mln doza vaksina total.

“Ka siguruar 2 kontrata një drejtpërdrejt me Pfizer dhe tjetrën nëpërmjet mekanizmit të Covax për 1.6 mln vaksina në total dhe sidoqoftë sot unë po përsëris që pres shumë shpejt lajme shumë të mira,” shtoi Rama.

Edhe pse në shumë zona denoncohet mungesa e mjekëve, Rama i konsideron sukses programet e bonuseve.

“Edhe pse nuk kemi bërë sa kemi dashur besoj që duke bërë gjithçka kemi mundur ja kemi dalë që t’ju bëjmë të mos ndiheni vetëm. Ja kemi dalë t’ju bëjmë të ndiheni se ne jemi aty, ne jemi pranë jush, ne jemi në mbështetjen tuaj. 3656 mjekë infermierë dhe epidemiologë kanë përfituar qysh prej ditës së parë të luftës bonusin 1000 euro mbi pagën mujore dhe do ta përfitojnë atë deri në përfundimin e luftës,” u shpreh Rama.

Ashtu siç kërkoi votën për drejtësinë, Rama u shpreh se 25 prilli  është udhëkryq për shëndetësinë shqiptare ndaj dhe kërkoi mandatin e tretë.

“Ne jemi forca qeverisëse sot dhe nesër dhe për ne kjo fushatë nuk është një hapësirë për të ngritur me radhë premtimet tona, por është një mundësi për t’ju njohur me planin tonë konkret,” përfundoi ai.

SHKARKO APP