Në vetëm 5 muaj, mbyllen 4900 biznese në vend
Si pasojë e pandemisë së Covid-19 dhe mos mbështetjes nga qeveria, nga 1 maji deri më 31 tetor mbi 4900 biznese të vogla u mbyllën në vendin tonë ose 34% më shumë se sa një vit më parë. Bizneset më të goditura nga kriza e shkaktuar nga pandemia janë në Vlorë dhe Shkodër.
Në Tiranë , kaluan në status pasiv gati 1600 subjekte për periudhën maj-tetor, me një rritje prej 22% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 32% e bizneseve të mbyllura ishin në Tiranë.
Në Durrës, i cili përveç pandemisë është goditur dhe nga tërmeti, numri i subjekteve të mbyllura u rrit me 24%, duke arritur në rreth 680.
Në Vlorë, mbylljet e subjekteve u dyfishuan, duke i kaluar 520 biznese, ndërsa në Shkodër, janë 414 subjekte të kaluara në status pasiv, ose 65% më shumë se një vit më parë.
Rritje e lartë e bizneseve të mbyllura është konstatuar dhe në Korçë (+58%), Sarandë (+54%), Kukës (+49%), Elbasan (+41%). Dibra është i vetmi rajon që ka parë një rënie të numrit të bizneseve të mbyllura me 20% për periudhën në fjalë .
Mbylljet e aktivitetit u argumentuan nga bizneset, siç raporton dhe “Monitor”, për shkak të rënies së xhiros nga Covid-19, detyrimeve fiskale, gjobat, anulim kontratash etj. Nga të intervistuarit, raportuan mbyllje të aktivitetit si biznese të hapura para 25 vitesh, edhe ato me një aktivitet disamujor apo mbi një vit.