Negociatat, Cakaj: Rezerva e Francës ka qenë për zgjerimin, jo për Shqipërinë

Kundërshtimi i tre vendeve, që Shqipërisë mos t’i hapen negociatat nuk ka lidhje me vendin tonë. Kështu u shpreh ministri në detyrë i punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj në një intervistë për RTV Ora, me gazetaren Fjorela Beleshi.

Sipas Cakajt, rezerva e Francës, Holandës dhe Danimarkës lidhet me zgjerimin dhe jo me performancën që ka bërë Shqipëria apo Maqedonia e Veriut.

Gent Cakaj: Qëndrimi i kancelares Merkel që ka më shumë për tu bërë, nuk do të thotë se nuk duhet të hapen negociatat, por në fakt është pasqyrim i drejtpërdrejtë i qëndrimit të saj se ky proces duhet të kushtëzohet në mënyrë që rezultatet të jenë më përmbajtësore.

Pyetja: Pse nuk u bindën Franca, Holanda dhe Danimarka?

Gent Cakaj: Nuk është çështje mosbindje e tre vendeve. Këtë po e them fare hapur, e para sepse të tre vendet edhe në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme edhe në Këshillin Evropian hezitimin kryesor nuk e kanë pasur në raport me Shqipërinë. Sikur kjo të kishte qenë e vërteta a do të ishin hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut?! Por nuk ka ndodhur as me ata. Përkundër marrëveshjes historike të Prespës rezultateve të konsiderueshme në fushat prioritare që kanë qenë për ta. Por nuk janë hapur as për ata, sepse rezerva ka qenë më tepër e lidhur me procesin e zgjerimit, sesa me performancën e vendeve përkatëse. Shumë prej vendeve që në pamundësi për të ristrukturuar procesin e zgjerimit, kërkojnë alibi shtesë për të penguar një vendimmarrje për zgjerimin. Në disa deklarime publike, ky ka qenë rasti, por në takimet zyrtare brenda dilema kryesore ka qenë nëse duhet të vazhdojë negocimi mbi parimet e metodologjisë aktuale, e para dhe e dyta nëse është e drejtë që BE të angazhohet për zgjerim pa e përmbyllur procesin e reformës brenda.

SHKARKO APP